Bislimi i quan “shpifje” akuzat e opozitës për marrëveshjen e Brukselit

Bislimi i quan “shpifje” akuzat e opozitës për marrëveshjen e Brukselit

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i ka quajtur “shpifje” dhe “të pavërteta” akuzat e deputetëve të opozitës se marrëveshja Kosovë-Serbi për targat e arritur në Bruksel është “e dëmshme” dhe se përmes saj “janë zyrtarizuar institucionet kriminale dhe paralele serbe në Kosovë”.

Bislimi në seancën në Kuvend ka thënë se “për herë të parë targat e Serbisë me denoninime rajonale të Kosovës trajtohen si targa ilegale, pasi në qeveritë e kaluara ishin trajtuar si të Kosovës”.

“Marrëveshja u cilësua nga ju si më e dëmshme se Zajendica, më e dëmshme se ajo për Energji e Drejtësi, më e dëmshme se bisedimet për ndarjen e Kosovës. Një e vërtetë e madhe është se kjo marrëveshje është krejt ndryshe nga ato paraprake. Ata që marrëveshjet paraprake i shohin të mira, nuk kanë si ta shohin këtë marrëveshje si jo të keqe”, është shprehur Bislimi.

Gjatë fjalës së tij, deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës bënin zhurmë. Me këtë rast, Bislimi iu është përgjigjur se “Kjo zhurmë është argumenti i vetëm intelektual i juaji sot”.

Bislimi po ashtu ka kundërshtuar akuzat e opozitës se nuk është konsultuar bashkësia ndërkombëtare e as opinioni vendor para se të merrej hapi për reciprocitet të targave.

“Ky vendim u është komunikuar si Bashkësisë Ndërkombëtare ashtu edhe opinionit vendor që në datën  9 shtatorit 2021, do të thotë 12 ditë para fillimit të zbatimit të tij dhe unë deri më sot nuk e kam ditur që Ministria e Punëve të Brendshme duhet të konsultohet me Kryetarin e Grupit Parlamentar të PDK-së para se marrë ndonjë vendim operativ”, ka thënë ai./Insajderi.com