Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është takuar me ministrin e Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Blendi Klosi – ku i ka kërkuar këtij të fundit që të hiqet taksa për “rrugën e kombit”.
Por, ministri i Shqipërisë nuk e përmendi fare heqjen e kësaj takse, njofton Insajderi.
Ai vetëm theksoi rëndësinë që ka promovimi i turizmit ndërmjet dy shteteve, në një takim ku u diskutua për thellimin e raporteve mes dy shteteve.
“Diskutuam edhe për hapat që pritet të ndërmerren nga ministritë tona gjegjëse në mënyrë që rruga nga Kosova deri në destinacionin e tyre në Shqipëri dhe anasjelltas të jetë sa më shumë e lehtësuar me sa më pak kontrolle eventuale apo barriera”, tha Bislimi ndër tjerash.
Ndërsa, Klosi përmendi rëndësinë që ka turizmi për Kosovën e Shqipërinë.
“Për të dy qeveritë tona besoj është një vendimmarrje e përbashkët që turizmi nuk është vetëm një kënaqësi, turizmi është një industri shumë e rëndësishme e të dy vendeve tona, por po ashtu është një kontribuues i rëndësishëm në ekonominë dhe në buxhetet e vendeve tona”, pohoi ai. /Insajderi.com