Bizneset do të punojnë edhe të dielën në Mitrovicë, Agim Bahtiri del kundër

Bizneset do të punojnë edhe të dielën në Mitrovicë, Agim Bahtiri del kundër

Kuvendi Komunal i Mitrovicës ka marrë vendim që të punohet gjatë ditës së diel në këtë qytet, por me këtë vendim nuk po pajtohet kryetari i kësaj komune, Agim Bahtiri, i cili ka thënë se kjo është votuar nga një koalicion i fshehtë PDK-LDK, “i përkrahur edhe nga disa guleracë të partive që janë në shuarje”, njofton Insajderi.

Me anë të një postimi në Facebook, Bahtiri ka shkruar se kohë më parë ka marrë vendim që e diela të jetë ditë pushimi në Mitrovicë, vendim i cili është mbështetur nga shumica absolute e pronarëve të bizneseve dhe gjithë punëtorët.

Mirëpo, sipas tij, nëse një vendim të tillë e lë në fuqi Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, atëherë nuk do të mund të shkelë ligjin duke refuzuar zbatimin e tij, edhe pse do të kërkoj fillimisht që të anulohet.

“Ky vendim i imi iu mundësonte punëtorëve të pushojnë të dielen dhe këtë ditë ta kalonin pranë familjeve të tyre. Mirëpo, koalicioni i fshehtë në Kuvendin Komunal të Mitrovicës, PDK-LDK, i përkrahur edhe nga disa gulerac të partive që janë në shuarje, kanë marrë vendim në Kuvendin Komunal që të punohet të dieleve në Mitrovicë. Unë jam në kontakt me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, që ky vendim i dëmshëm për qytetarët nga Kuvendi Komunal të anulohet si i paligjshëm. Po në qoftë MAPL-ja e lë në fuqi vendimin e koalicionit LDK-PDK për të punuar të dieleve, atëherë unë nuk mund ta shkeli ligjin duke refuzuar zbatimin e tij. Të gjithë këtyre që për inati politike kanë marrë dhe po marrin vendime në dëm të qytetarëve, do t’ua kallxojmë vendin në zgjedhjet e ardhshme sikurse më 2013 dhe 2017”, ka shkruar ai. /Insajderi.com