Bizneset milionëshe në Mal të Zi të kryetarit të ri të Feronikelit

Bizneset milionëshe në Mal të Zi të kryetarit të ri të Feronikelit

Naser Rama, kryetari i ri i klubit futbollistik KF Feronikeli, është biznesmen i njohur kosovar, i cili posedon disa biznese milionëshe në Mal të Zi.

Naser Rama është zgjedhur kryetar i ri i klubit nga Drenasi, me votë unanime nga bordi i klubit, siç njoftoi klubi përmes një komunikate zyrtare, raporton Insajderi

Kryetari i ri i Feronikelit është biznesmen jashtëzakonisht i pasur. Ai posedon bizenese milionëshe në  ndërtimtari. Më i njohur është në Mal të Zi, por nuk e ka lënë keq as veprimtarinë në Kosovë.

Që nga viti 2000, kompania e tij, “New Building”, ka ndërtuar katër mijë ndërtesa në Kosovë, ku ka punuar edhe për Kryqin e Kuq, shkruan gazeta malazeze Vijesti, përcjell Insajderi

Siç raporton ky medium, Rama ka filluar zhvillimin e biznesit të tij në Mal të Zi, duke ndërtuar shkolla, spitale, ndërtesa, qendra tregtare, hotele, komplekse të vilave, shtëpi në rajone të ndryshme – Rozhajë,  Tivar, Podgoricë, Kotor, Pljevjla, Tivat, Budva dhe Herceg Novi.


Rama në Budvë, aty ku ka ndërtuar ndërtesa rezidenciale dhe biznesore

Rama përshkruhet nga Vijesti si një biznesmen serioz i cili, me punën dhe përpjekjet e tij, ka ndërtuar reputacionin e tij.

Me partnerin e tij biznesor, Alen Sijaric, Rama ka ndërtuar disa ndërtesa rezidenciale dhe biznesore në Budvë, gjatë dekadës së fundit.

Përveç ndërtimit të shtëpisë luksoze shumëkatëshe “Potkosljun” në Budvë, para një viti e gjysmë, ishte kompletuar edhe kompleksi “Victoria Residens”, në mënyrë që të merrej leja për ndërtimin e kompleksit “Porto Budva”, disa qindra metra larg Qytetit të Vjetër.

Rama dhe njerëzit e tij i paguan katër milionë euro qytetit

Sipas Vijesti, përcjellë Insajderi, ata paguan katër milionë euro në muajin nëntor të vitit të kaluar në Komunën e Budvës, në emër të ndërmarrjeve, pas të cilave ata morën një leje për ndërtim në disa faza.

Ndërtimi i kompleksit filloi vetëm një vit më parë, kur ata morën leje për garazhin.

Kompleksi Porto Budva do të kushtojë më shumë se 50 milionë euro dhe gati gjysma e stallave dhe lokaleve afariste në këtë ndërtesë nëntëkatëshe tashmë janë shitur.

Çmimet e banesave dhe zyrave, varësisht nga pozicioni, kushtojnë nga 4.000 në 10.000 euro.


Njëri prej komplekseve të ndërtuar nga Naser Rama në Budva

Por, si erdhi Rama në krye të Feronikelit?

Ai është zgjedhur pas dorëheqjes së ish-kryetarit Elshani nga ky post, në muajin dhjetor të vitit të kaluar.

Dorëheqja e Elshanit kishte ardhur pas kërkesës publike që i kishte bërë kryetari Drenasit, Ramiz Lladrovci, gjatë ceremonisë se shpalljes se sportistit te vitit nga Komuna e Drenasit.

Sipas Elshanit, Lladrovci kishte kërkuar publikisht që ai të dorëhiqej dhe t’i lironte rrugë dikujt tjetër në mënyrë që të mundësohej avancimi i klubit.

Pas tij ishte dorëhequr edhe ish-drejtori i klubit, Istref Veliu, që kishte deklaruar se kërkesën për tërheqjen e Elshanit nga klubi, “e kishte parë si shantazh, kërcënim dhe ndërhyrje politike në sport”.


Naser Rama, kryetar i ri i “KF Feronikeli”

Një muaj më pas, Feronikeli ka emëruar biznesmenin Naser Rama në krye të klubit, i cili ka premtuar se “do të kujdeset personalisht” për obligimet te klubi, derisa suksesi në fushë do të jetë obligimi i vetëm i lojtarëve.

“Bordi me votë unanime zgjodhi kryetarin e ri Naser Ramën, biznesmen mjaft i njohur në Mal të Zi, i cili jeton dhe veprimtarinë biznesore e zhvillon kryesisht në qytetin turistik të Budvës”, ka shkruar klubi në njoftimin zyrtar. /Insajderi.com