Bizneset në hall me konkurrencën jolojale në treg

Bizneset në hall me konkurrencën jolojale në treg

Si rezultat i shumë ankesave të bizneseve në Kosovë dhe sidave të mëdha me të cilat ballafaqohen bizneset, Oda e Afarizmit të Kosovës ka evidentuar dhe adresuar 14 probleme që ndërlidhen në treg, të cilat janë prezantuar sot në tryezën diskutuese “Konkurrenca jo lojale në treg”.

Drejtori ekzekutiv i OAK, Ismet Mulaj ka thënë se ndër problemet më të mëdha me të cilat ballafaqohen bizneset e ndershme, është evazioni fiskal, mos pagimi i taksave, mbajtja e punëtorëve në të zezën, prokurimi publik, CEFTA si dhe aksionet e rrejshme për zbritje për mashtrim të konsumatorëve. Të gjitha këto, sipas Mulajt paraqesin konkurrencën jo luajale në treg, transmeton kp.

Ai ka shtuar se edhe mos fiskalizimi mbetet një sfidë tjetër, ku sot thuhet se 40 përqind e bizneseve në Kosovë janë ende të pa fiskalizuara ku bëjnë pjesë edhe naftëtarët.

Fatime Haziri anëtare e Bordit të Komisionit Kosovar të Konkurrencës tha se me qëllim që të sigurohet zhvillim i qëndrueshëm në ekonominë e tregut të Kosovës, duke ndaluar veprimet që kufizojnë, shtypin dhe çrregullojnë konkurrencën në vend, ligji i Konkurrencës vepron për të siguruar një konkurrencë të lirë dhe efektive në treg.

Drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha theksoi se ka korrupsion nëpër institucione private dhe publike, si dhe politika jo adekuate fiskale, të cilat e bëjnë konkurrencën jo fer në treg, krejt kjo ndoshta sipas tij, për shkak se sundimi I ligjit nuk është në nivel të duhur. Ai ka shtuar se Kosova ende nuk i ka definuar krejt kufijtë, edhe me dy vendet fqinje të Kosovës, Malin e Zi dhe me Serbinë, që në baza ditore Dogana, Policia kufitare dhe institucione tjera zënë kalime ilegale të mallrave dhe deklarime të rrejshme.

Pronari i kompanisë “Meka”, Burim Piraj, tha se është i kënaqur që ka një bashkërendim sot në këtë tryezë që të përmirësohet gjendja e bizneseve. Ai deklaroi se si industri problemin më të madh e kanë të eksportojnë prodhimet tyre në Zvicër dhe Maqedoni për shkak të barrierave të ndryshme jo tarifore.

Ndërsa, Shaban Muja prodhues i alimeniumit i cili theksoi se është eksportues dhe konkurrues në shtetet perëndimore, por në Kosovë nuk arrin të bëjë konkurrencë për të cilën tha se e ka të pa mundur nga autoritetet e Kosovës. Muja, shtoi se në fabrikë ka të punësuar 50 punëtorë, mirëpo tregon se po të kishte treg fer në Kosovë do të shtonte numrin e të punësuarve deri në 200. Ai ka shtuar se me politikat e gabuara nga Dogana, Autoriteti i Konkurrencës dhe MTI po e detyrojnë të mendon edhe ta mbyllë fabrikën në Kosovë.

Drejtoresha e Departamentit të Tregtisë në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Sytrime Dervisholli, tha se pa dashur me filluar me negativitet për CEFTA-në, kjo ka qenë një e keqe e ardhur më herët, kur autoritetet e Kosovës nuk kanë pasur shumë kompetenca.

Safet Hoxha nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik theksoi se duhet të ndërrohet qasja e institucioneve publike në raport me biznesin që biznesi të shihet një partner strategjik i këtij vendi.

Valdet Gjinovci, kryeshefi i AUV theksoi se problemet të cilat paraqiten qoftë në import dhe në eksport të produkteve, në bashkëpunim me MTI do të mundohen t’ju japin përgjigje dhe t’ju ofrohet ajo që kërkohet dhe që është obligim ligjor dhe institucional nga ana e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës.