Biznesi i familjes së Hashim Thaçit “tmerron” banorët e Malishevës – të njëjtit i ishin ndaluar punimet

Biznesi i familjes së Hashim Thaçit “tmerron” banorët e Malishevës – të njëjtit i ishin ndaluar punimet

Gurthyesi “Geo-Mineral”, në pronësi të Agim dhe Idriz Thaçit, vëllezërve të Hashim Thaçit, vazhdon të jetë shqetësim i madh për banorët e Komunës së Malishevës.

Firma, e cila merret me nxjerrje minerare, operon në fshatin Astrazub.

Ndonëse firmës “Geo-Mineral” dhe të gjithë gurëthyesve të tjerë në Komunën e Malishevës iu ndaluan punimet muajin e kaluar me vendim të Kuvendit Komunal, baza ku ka operuar kompania ka lënë pasoja në këtë rajon.

Sipas Alban Krasniqit, asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Malishevës, firma e vëllezërve të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, vazhdon të operojë në Astrazub.

“Nuk është duke rënë borë, por pluhur nga ”Gurthyesi i Thaçit” i cili operon mbi fshatin Astrazup”, ka shkruar sot Krasniqi. “Ku janë inspektorët e nivelit lokal dhe atij qendror?”.

Nuk është duke rënë borë, por pluhur nga ''Gurthyesi i Thaçit'' i cili operon mbi fshatin Astrazup.Kjo është njëra nga arsyet se përse kemi marrë vendim në Kuvendin Komunal të Malishevës për pezullimin e pëlqimeve të dhëna nga komuna për operimin e gurthyesve.Ku janë inspektorët e nivelit lokal dhe atij qendror?

Gepostet von Alban Krasniqi am Dienstag, 25. Februar 2020

Insajderi raportoi muajin e kaluar lidhur me goditjen që biznesi i Thaçëve pësoi nga vendimi i Kuvendit Komunal të Malishevës.

Me rreth 13 vjet operim në treg, “Geo-Mineral” ka arritur të krijojë kapital prej 412.000.00 eurove. Aksionet e saj i ndajnë për gjysmë Agim dhe Idriz Thaçi, vëllai i presidentit Hashim Thaçi.

Akuza dhe ‘goditje’ financiare ndaj biznesit të Thaçëve

Pezullimi i të gjitha punimeve të “Geo-Mineral” në Astrazub erdhi si pasojë e një peticioni të nisur në drejtim të Komunës së Malishevës nga banorët e fshatit Astrazub.

Banorët e fshatit janë ankuar prej vitesh se nga punimet e kompanisë që merret me biznesin e thyerjes së gurit, u janë dëmtuar edhe shtëpitë.

Banori i fshatit Astrazup, Asllan Morina, deklaron se punimet e kompanisë në të cilën është pronar Idriz Thaçi, shkaktojnë dridhje të mëdha nga shpërthimet që vijnë si pasojë e minerimit.

“Kur minohet nga kompania, minohet jashtë kontrollit. Ka shumë shpërthime të mëdha, edhe dridhje aq të mëdha sa nga dridhjet plasaritet edhe shtëpia. Çdo mëngjes kur zgjohemi shihet pluhuri tek tavolinat e tek dritaret”, ka thënë Morina.