Biznesmeni malaizas Daka Davidoviq qëllohet me snajper në Beograd

Sipas informatave të gazetës serbe „Novosti“, Miodrag Daka Davidoviq mbrëmë u plagos në hotelin „Crowne Plaza“ në Beograd, me siguri u qëllua me snajper.

Biznesmeni malaizas Daka Davidoviq qëllohet me snajper në Beograd

Burimet e gazetës transmetojnë se vetura e tipit „Renault“ ku u gjet pushka me të cilën u plagos Davidoviqi, është konfiskuar në rrugën e Brigadave të Rinisë në Beograd.

Daka ishte i shoqëruar me peshopin të Budimlanit-Nikshiqit Joaniki.

Mirëpo kush ishte në të vërtetë Miodrad Daka Davidoviq?

Miodrad Daka Davidoviq është biznesmen malazias i cili është i njohur si tregtar me armë me lidhje të forta politike.

Miodrad Daka Davidoviq është donator i madh i Kishës Ortodokse Serbe. Në qendër të vëmendjes ka arritur pas „revolucionit antiburokratik“ në Mal të Zi në vitin 1989, kur forcat proserbe të dirigjuar nga Kasapi i Ballkanit Sllobodan Millosheviq e morën pushtetin në Mal të Zi. Deri atëherë ka punuar si drejtor financiar në hekuranën “Boris Kidriç” në Nikshiq.

Si bashkëpunëtor i Pavle Bullatoviqit tashmë të vdekur, dhe Miomir Bullatoviqit, të cilin atëbotë e kishte vendosur Millosheviqi në ulësen e presidentit të Malit të Zi, ai u emërua shef i Qendrës së Sigurisë në Nikshiq. Ishte kjo kohë pak para shpërthimit të luftërave në RFSJ të atëhershme të shkaktuar nga ideologët serbomëdhenj në krye me Sllobodan Millosheviqin.

Përndryshe Davidoviq si kumbar i Momir Bullatoviqit, i njohur si lakej i Millosheviqit, e kryente edhe funksionin e ministrit të tregtisë në Qeverinë e “Regjionit Autonom Serb (SAO) Hercegovina”, të krijuar nga serbomëdhenjtë e asaj kohe, dhe pas përçarjes së Partisë Demokratike të Socialistëve të Malit të Zi u arrestua nga ana e pushtetit malazias.

Pas vuajtjes së dënimit, hyri në sferën e biznesit dhe u bë “donator” i madh i Kishës Ortodokse Serbe. Ai është pronar i ndërmarrjes “Neksan” i cili merret me prodhimin e verës dhe pijeve alkoolike, por edhe me ndërtimtari. Në pronësi të kompanisë së Davidoviqit “Neksan” ishte edhe hoteli “Admiral” në Budvë, të cilin para dy vjetëve e bleu Grupi Metropol nga Rusia.

Para shtatë vjetëve patriarku serb Irinej e dekoroi Davidoviqin me “Urdhrin e Shën Savës të shkallës së parë”, dhe para tre vjetëve, nga mitropoliti Amfilohije ka marrë “Urdhrin e Mbretit të Shenjtë Millutin” për donacione të cilat i kishte dhënë kishës serbe.

Tentim vrasja e Davidoviqit, tregtarit të njohur të armëve, ndodhi në kohën e aferës së shitjes ilegale të armëve nga Serbia në Lindje të Mesme ku pretendohet se janë të përzier presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, zëvendëskryeministri dhe ministri i brendshëm i Serbisë Nebojsha  Stefanoviq si dhe babai i tij Branko Stefanoviq./Insajderi.com.