Biznesmeni me tri aktakuza – dyshohet që bëri mashtrime financiare qindra -mijëra euro

Biznesmeni me tri aktakuza – dyshohet që bëri mashtrime financiare qindra -mijëra euro

Prokuroria Speciale ka nisur hetimet ndaj drejtorit të Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Emin Beqiri, dhe sekserit Rrahim Hashimi.

Ata dyshohen se u kishin marrë 100 mijë euro drejtuesve të organizatës QAD, për t’ua mbyllur një rast.

Këtë ia ka konfirmuar Insajderit,  Tahir Rrecaj, avokat i Rrahim Hashimit.

Ai ka thënë se është ftuar nga ana e Prokurorisë, që të shkojë të hënën për ta marrë lëndën e aktakuzës ndaj klientit të tij.

Mirëpo, Rrecaj për Insajderi, e konfirmoi se Rrahim Hashimi, është duke u dyshuar për tri raste të mashtrimit financiar.

Ai ka thënë se përveç dyshimit që klienti i tij e mashtroi QAD-in, në shumë prej 100 mijë euro, ndaj tij është ngritur edhe aktakuzë tjetër për mashtrime financiare rreth 130 mijë euro.

“Rrahim Hashimi ka dy tri raste ku po akuzohet për mashtrime financiare. Sa i përket rastit që dyshohet për mashtrimin e QAD-it, që supozohet që ka mashtruar në një shumë prej 100 mijë euro, të hënën kemi për të shkuar dhe për t’i marrur shkresat e lëndës.

Rasti i dytë ku Hashimi akuzohet, është dyshimi se ai e mashtroi Kadri Rexhepin, në një shumë prej 130 mijë eurosh.

Mirëpo, sipas Rrecajt, Rrahim Hashimi pretendon që nuk ka qenë mashtrim, por huazim, të cilat i ka marrë nga Kadri Rexhepi.

“Në rastin tjetër ai akuzohet që i ka marrur borq një personi në shumë prej 120 apo 130 mijë euro. Ky po pretendon që i ka marrë hua nga Kadri Rexhepi, një person nga Ferizaj (nëse nuk gaboj), kurse pala që akuzuese po e akuzon që Rrahim Hashimi e ka mashtruar atë në këtë shumë të parave, e nuk ia ka marrë hua. Ende nuk ka filluar shqyrtimi gjyqësorë për këtë rast”, ka thënë avokati Rrecaj.

Por, ngritja e aktakuzave për të nuk mbaron me kaq.

Rrahim Hashimi dyshohet për mashtrim me para, për ndërtimin e një spitali, që Rrecajt nuk iu kujtua për cilin spital bëhet fjalë, e s për shumën që është duke u dyshuar.

Edhe në rastin tjetër ai është i dyshuar për mashtrim financiar për ndërtimin e një spitali. Por, ende nuk ka filluar procedura

gjyqësore ndaj tij për këtë rast. Por, po them se edhe për këtë rast ai dyshohet për mashtrim financiar”, ka thënë Rrecaj për Insajderi.

Rrecaj pranoi që Rrahim Hashimi kishte qenë i paraburgosur për rastin e QAD, por që ishte liruar nga paraburgimi, pasi kishte paguar 30 mijë euro për lirimin e tij.

“Për rastin e QAD-it ai ka qenë në paraburgim, dhe është liruar nga paraburgimi pasi ka paguar 30 mijë euro, dorëzani. Të sqarohemi që dorëzania nuk prosupozon që ai është i fajshëm apo i pafajshëm”, ka thënë Rrecaj.

Në fund Rrecaj ka thënë se “sikur secili avokat” edhe ai “pretendon që klienti i tij është i pafajshëm”./Insajderi.com