Biznesmeni që deshi të digjej, dikur s’mund ta regjistronte kamionin për shkak të borxhit ndaj komunës

Biznesmeni që deshi të digjej, dikur s’mund ta regjistronte kamionin për shkak të borxhit ndaj komunës

Biznesmeni i cili tentoi ta digjte veten me benzinë për ta mbrojtur një pronë të tij, më herët kishte problem me Komunën e Gjilanit, për regjistrimin e një kamioni, për të cilën kishte paralajmëruar edhe protestë.

Abdullah Bajra pronar i fabrikës së ujit “Kika” kishte paralajmëruar protestë në qershor të 2012-s në shenjë pakënaqësie ndaj zyrtarëve komunalë të financave në Gjilan.

Bajra kishte thënë se nuk po mund ta regjistrojë një kamion për shkak se, sipas tij, padrejtësisht i figuron një borxh në emër të taksës komunale. Protestën e kishte paralajmëruar edhe në polici.

Ai kishte thënë asokohe se ka disa vite që atij i bëhet e padrejtë dhe nga këto padrejtësi nuk po mund të zhvillojë aktivitetin e biznesit.

“Jam detyruar të largojë edhe punëtorët nga puna për shkak se nuk kam mundur ta regjistrojë një kamion që nga viti 2009. Nga ai kamion bukën e gojës e kanë siguruar katër familje”, kishte thënë Bajra, shkruante Rajonipress.

Zanafilla e këtij problemi sipas Bajrës qëndron tek një borxh i vjetër që sipas tij i është vënë padrejtësisht nga inspektorët komunal.

Por krejt ndryshe e japnin versionin zyrtarët komunal. Nuhi Nuhiu – drejtor për buxhet dhe financa kishte thënë se Bajra mund të protestojë dhe të bëjë çfarë të dojë, por ai ka një borxh prej 720 eurove, në emër të taksës komunale.

“Unë nuk e kam vendosur atë shumë, e kam gjetur të tillë dhe ligjin duhet ta zbatojmë”, kishte thënë asokohe Nuhiu.

Për më tepër, pronari i kompanisë së ujit “Kika” ka tentuar ta hedhë veten në erë me një bidon benzinë, për shkak se Gjykata Themelore e Gjilanit, dega në Kamenicë, ka vendosur që mbi një pronë të tij të kalojnë telat e tensionit të lartë të rrymës të një kompanie tjetër.