Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka folur sot për kandidimin e Stavilecit për drejtor të KEK-ut.
Ai pas nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit, me Ambasadorin Britanik O’Conell, për vazhdimin e projektit për rekrutimin e zyrtarëve profesionalë në pozita të larta drejtuese, tha se askënd nuk e përkrah nëse nuk respektohet ligji.
“Ky proces ka për qëllim dekriminalizimin, dhe largimin nga njerëzit që janë jo profesional, por e nderuara zonja gazetare në qoftë se mendon se krejt çka janë në politikë e kanë gabim, e ata çka nuk janë në politikë e kanë mirë, e ke shumë gabim. Ne jemi shtet i vogël, duhen njerëz që janë më profesionist me i përkrahë dhe me u respektu ligji. Po ju jap fjalën që askënd nuk do ta përkrah nëse nuk respektohet ligji”, tha Veseli.
Ndryshe, KEK-u është kompania e vetme publike qe ka pasur një performancë të mirë në treg duke e mbyllur vitin e fundit me rreth 20 milionë euro fitim, për dalim prej të gjitha ndërmarrjet tjera publike të cilat janë në falimentim ose në prag të falimentimit.
Në mbledhjen e Bordit Drejtues të KEK-ut të mbajtur me 31 maj, Drejtori Menaxhues i deritanishëm i KEK, Arben Gjukaj, ka dhënë dorëheqje nga posti i tij dhe menjëherë pas dorëheqjes së Gjukajt, Bordi kishte emëruar Ushtrues detyre të drejtorit menaxhues në KEK, Njazi Thaçi.
Pas dorëheqjes së Arben Gjukajt, për herë të parë KEK-u ka shpallur konkurs për Drejtor Menaxhues në KEK më 5 prill, ndërsa është rishpallur më 1 qershor dhe për herë të tretë konkursi është hapur më 9 gusht ka qenë I hapur deri me dje, më 10 shtator.