Blerim Maqastena flet për herë të parë pas lirimit nga burgu i Serbisë

Blerim Maqastena flet për herë të parë pas lirimit nga burgu i Serbisë

Asambleisti komunal në Podujevë nga radhët e Partisë Socialdemokrate, Blerim Maqastena, është deklaruar për herë të parë pas lirimit nga burgu i Serbisë, njofton Insajderi.

Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Maqastena ka falënderuar qytetarët për mbështetjen e tyre gjatë qëndrimit të tij gjashtë-mujor në burgun e Serbisë.

Në këtë shkrim, ai ka treguar se nuk e ka kaluar lehtë këtë sfidë, duke thënë se burgjet në Serbi janë të rënda, por edhe më shumë rëndohen për shqiptarët e Kosovës, e sidomos për aktivistët politikë.

“Të dashur qytetarë, shokë e shoqe, familjarë e familjare, Pas qëndrimit gjashtë mujor në burgun e Serbisë, dje u lirova i pafajshëm nga gjykata atje”, thotë Maqastena në postimin e tij.

“Burgjet në Serbi janë të rënda. Për shqiptarët, edhe më të rënda. E nëse je aktivist politik shqiptar në Kosovë, edhe më të rënda! Por sfidat janë lehtë të kalueshme kur e din që i takon një shoqërie dhe populli si yni: solidar dhe që nuk të harron asnjëherë”, shtoi ai.

“Fjalët, mbështetja dhe empatia juaj për mua, më kanë ardhur në vesh e në zemër, edhe brenda dyerve të burgut. Prandaj faleminderit për mbështetjen e madhe që ma keni dhënë”. /Insajderi.com