“Bleva një rryp me lidh Vehbi Kajtazin” kërcënimi i Fitim Thaqit për të cilin u arrestua

“Bleva një rryp me lidh Vehbi Kajtazin” kërcënimi i Fitim Thaqit për të cilin u arrestua

Është arrestuar Fitim Thaqi, i cili, përmes Facebook-ut, e kishte kërcënuar gazetarin Vehbi Kajtazi, madje kishte bërë thirrje publike për sulm ndaj tij. Thaqi e kishte quajtur Kajtazin edhe bashkëpunëtor të Serbisë. Në një moment ai kishte postuar një fotografi ku shkruante “Bleva një rryp me lidhVehbi Kajtazin se po leh shumë e po han naj kan…”. Thaqi edhe  para dy vitesh e kishte sulmuar Kajtazin, për çka po ashtu ishte arrestuar, raporton Gazeta Express.

Rastet kur gazetarët kërcënohen në Kosovë nuk janë edhe të rralla. Kërcënimet bëhen edhe përmes rrjeteve sociale. Një i tillë i është bërë gazetarit Vehbi Kajtazi. Gjatë ditës së djeshme policia ka arrestuar kërcënuesin dhe pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

“Prishtinë 17.07.2019-18:30. Viktima mashkull K/Shqiptar, ka raportuar se përmes rrjeteve sociale Facebook, nga i dyshuari mashkull K/Shqiptar është duke pranuar mesazhe kërcënuese. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, tha policia në raportin 24 orësh.

Gazetari Vehbi Kajtazi ka ngritur kallëzim penal ndaj Fitim Thaqit, Faton Ramadanit dhe Milaim Zekes (deputet i Kuvendit të Kosovës dhe themelues i partisë PEK).

Në kallëzimin penal të cilin e ka siguruar Gazeta Express thuhet se menjëherë pas postimit të Fitim Thaqit, Kajtazi ka marrë kërcënim me jetë nga Faton Ramadani.

Postimi i Thaqit ishte shpërndarë me të madhe dhe aty komentohej keq e më keq për Kajtazin.

Në Kallzim Penal janë të shkruara katër vepra penale ndaj palës së dëmtuar. “Kanosja”, “Shtrengimi”, “Ngacmimi” dhe “Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor fetar apo etnik”.

Te këto vepra penale përmendet edhe emri i deputetit Milaim Zekës. Qëllimi i postimit thuhet të ketë qenë që përmes kanosjes serioze ta detyrojnë gazetarin Vehbi Kajtazi të mos kryejë punën e tij si gazetar hulumtues.

Vehbi Kajtazit i është bërë sulm real në tetor të vitit 2017, në një kafene në lagjen Pejton të Prishtinës.