Blick: Zvicrra harxhon afër 200 mijë euro për t’i bindur kosovarët të kthehen në atdhe

Blick: Zvicrra harxhon afër 200 mijë euro për t’i bindur kosovarët të kthehen në atdhe

Në Zvicër kanë ardhur në vitet e nëntëdhjeta, duke ikur prej luftës dhe përndjekjeve në vendlindjen e tyre. Fjala është për kosovarët. Për një kohë të gjatë ata janë quajtur “shipit” e padashur, telashexhinjtë, raporton e përditshmja zvicerane “Blick”.

Megjithatë, sot, ata janë të integruar mirë, punojnë si dentistë, krijues softuerësh apo policë. Disa prej tyre japin gola për ekipin kombëtar të futbollit.

Në Zvicër jetojnë 200.000 kosovarë dhe shumica tash sa kohë e kanë marrë pasaportën zvicerane. Ata janë shembull për integrim të suksesshëm.

E pikërisht tani, shteti zviceran dëshiron që ta nxisë kthimin e tyre në Kosovë.

Sekretariati zviceran për Migrim (SEM) është duke e financuar një projekt të madh filmik të albinfo.ch, një platforme shqiptaro-zvicerane të lajmeve.

158.000 franka zvicerane do të jepen për prodhimin e tetë filmave dokumentarë për televizionin publik të Kosovës. Filmat do të trajtojnë rrëfime suksesi të zvicerano-kosovarëve që janë kthyer në vendlindjen e tyre.

SEM e ka thënë në këtë mënyrë: “Filmat pritet që të përcjellin aspektet pozitive të kthimit në shtëpi”. Thënë troç: “Sigurojani vetes një jetë të re”.