Blinken pret Borrellin në Uashington, flasin për Ballkanin Perëndimor

Blinken pret Borrellin në Uashington, flasin për Ballkanin Perëndimor

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, është takuar këtë të enjte në Uashington me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell, transmeton Insajderi.com.

Në këtë takim, siç njoftohet nga Departamenti i Shtetit, sekretari Blinken ka ritheksuar rëndësinë e partneritetit midis ShBA-së dhe BE-së dhe angazhimin e Uashingtonit për të punuar me Brukselin për t’u përballur me sfidat e përbashkëta.

Në njoftimin për shtyp të DASH, thuhet se Blinken vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe përkushtimin ndaj procesit të zgjerimit.

Ai theksoi gjithashtu nevojën për të bërë përpara me hapjen e negociatave për pranimin në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, raporton ‘Zëri i Amerikës’.

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken dhe Kryediplomati i BE-së, Josep Borrell në Uashington

Blinken dhe Borrell diskutuan rreth zhvillimeve në Afganistan, çështjen e nisjes së dialogut të nivelit të lartë SHBA-BE mbi Rusinë, si dhe takimin e ardhshëm të nivelit të lartë SHBA-BE mbi Kinën, që pritet të mbahet më vonë gjatë këtij viti.

“Kur bëhet fjalë për të gjitha sfidat me të cilat përballemi në të gjithë botën, Bashkimi Evropian është një partner kryesor i Shteteve të Bashkuara dhe praktikisht nuk ka asnjë sfidë me të cilën ne përballemi dhe nuk po punojmë së bashku për të”, tha Blinken.

Nga ana tjetër edhe Borrell theksoi se ka shumë vende në botë që kanë nevojë për ta, për të punuar së bashku – si, Ballkani Perëndimor, Afganistani, Kina, Rusia.

Borrell e cilësoi takimin një hap të rëndësishëm në marrëdhëniet mes Bashkimit Evropian dhe Uashingtonit, veçanërisht sikurse ai tha, në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.

Sekretari Blinken dhe Përfaqësuesi i Lartë nënvizuan gjithashtu mbështetjen e tyre të fortë në përpjekjet për të rivendosur rendin demokratik në Venezuelë. /Insajderi.com