Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka uruar popullin e Kosovës për ditën e pavarësisë, derisa është shprehur i lumtur që shteti i tij kishte rol qendror në arritjen e kësaj pavarësie.
“Në emër të qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e uroj Kosovën në festën e përvjetorit të 13 si shtet sovran dhe i pavarur”, shkruan Blinken në letrën e urimit publikuar edhe në faqen zyrtare të Qeverisë Amerikane.
“SHBA-ja është krenare në rolin e saj të hershëm dhe të vazhdueshëm në mbështetje të pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe zhvillimin e një shteti multietnik, inkluziv dhe demokratik”, thotë Blinken.
Ai ka përmendur edhe raportet e Kosovës me Serbinë dhe nevojën për arritjen e një marrëveshje që në qendër ka njohjen mes dy vendeve.
Ka përgëzuar gjithashtu shtetin e Kosovës për vendosjen e raporteve diplomatike me Izraelin.
“Ne përgëzojmë vendosjen e marrëdhënieve tash rishtazi me Izraelin dhe aplaudojmë përpjekjet tuaja që të bëni normalizim raportesh me Serbinë”.
“Për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse që në qendër ka njohjen reciproke do të kërkojë fleksibilitet nga të gjitha palët dhe gatishmëri për kompromis”.
“SHBA-të vlerësojmë lidhjen e fuqishme në mes popujve tonë dhe do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në shtegun e saj drejt integrimeve Euro-atlantike”.
Urimi i Blinken përfundon me një mesazh për “shëndet e siguri” për qytetarëve të Kosovës “në ballafaqimin me pandeminë COVID-19”.