Më 10 prill 2021, në Qendrën përkujtimore “Bllaca ‘99” në Han të Elezit do të inaugurohet “Muri i Kujtesës” dhe parku “Hasan Prishtina”, në kujtim të vuajtjeve të shqiptarëve të Kosovës të dëbuar nga vatrat e tyre nga regjimi serb në vitin 1999,përcjell Insajderi.
Një mozaik që simbolizon sakrificën e nënës shqiptare, bashkë me emrat e disa prej personaliteteve të shquara botërore që kontribuuan në çlirimin e Kosovës, do të jenë pjesë integrale e Murit të Kujtesës, një vepër kjo artistike-monumentale që do të shprehë më së miri kujtimin dhe respektin për të gjithë ata që sollën lirinë dhe pavarësinë e shumëpritur.
Me këtë rast është paralajmëruar edhe pjesëmarrja e personaliteteve të shquara shtetërore e institucionale nga Prishtina, Shkupi e Tirana. /Insajderi.com