Bllokimi i “Pavarësisë” nuk i ndalë kosovarët të pushojnë në Durrës

Bllokimi i “Pavarësisë” nuk i ndalë kosovarët të pushojnë në Durrës

Edhe pse pushuesit kosovar që udhëtojnë me autobusë drejt plazhit të Durrësit, janë të detyruar që të zbresin tek rrethrrotullimi i Durrësit dhe Tiranës që është më shumë se 2 kilometra larg zonës së plazhit, ata nuk po e shohin problem këtë gjë.

Madje numri i pushuesve kosovarë në plazhet e Durrësit nuk është ulur fare, raporton Insajderi.

Disa kompani turistike i kanë thënë Insajderit se vendimi i autoriteteve shqiptare në Durrës për të ndaluar rrugën “Pavarësia” për autobusët me pushues nga Kosova, nuk e ka ulur numrin e tyre.

“Numri i pushuesve në Durrës nuk ka ra. Ata po gjejnë rrugët dhe po gjinden disi”, ka thënë Egzon Sejdiu nga kompania “Endriti”.

Sipas tij, edhe pse me probleme, pushuesit kosovar po shkojnë në plazhet e Durrësit duke mos e bojkotuar atë.

Të njejtën gjë e kanë thënë edhe kompania “Flutura Reisen”. Sipas tyre Durrësi ende mbetet një nga plazhet më të preferuara të pushuesve nga Kosova.

“Bile së fundmi ka më shumë sesa para një jave”, ka thënë një punëtor i kësaj kompanie.

Bllokimi i rrugës “Pavarësia” ngjalli reagime të ashpra tek kompanitë turistike nga Kosova e gjithashtu edhe ngjalli debat mbi “diskriminin e pushuesve kosovar”. Reaguan edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë. /Insajderi.com