Bloomberg shkruan për vendimin e Qeverisë për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave – a pritet të ndodhë njëjtë si në Kazakistan?

Bloomberg shkruan për vendimin e Qeverisë për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave – a pritet të ndodhë njëjtë si në Kazakistan?

Media prestigjioze amerikane Bloomberg ka shkruar rreth vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e mihjes së kriptovalutave në Kosovë, me idenë e kursimit të energjisë elektrike.

Shkrimi i Bloomberg fokusohet tek veprimtaria e fundit – pas vendimit të Qeverisë – me shitjen në tregun e zi të pajisjeve për mihje të kriptovalutave.

“Tani disa mihejës (persona që merren me veprimtarinë e mining-ut) janë duke i shitur pajisjet e tyre ose po provojnë të zhvillojnë veprimtarinë e tyre jashtë Kosovës”, shkruan pos tjerash Bloomberg.

Shkrimi krahason Kosovën dhe situatën këtu me atë që më parë, përafërsisht njëjtë, kishte ndodhur në Kazakistan, vend që ishte bërë i famshëm pasi personat që merreshin me mihje ishin larguar nga Kina dhe ishin zhvendosur atje vitin e kaluar.

Për prodhimin e kriptovalutave (Bitcoin) kërkohen kompjuterë specialë që punojnë pa pushim për të zgjidhur probleme të komplikuara matematikore, dhe shpenzimi më i madh këtu është energjia elektrike.

Bloomberg në artikullin e vetë ka realizuar edhe një intervistë të shkurtër me Ardian Alajn, bashkë-pronar i një kompanie për këmbimin e kriptovalutave, i cili i ka thënë Bloomberg se ka shumë shembuj të ngjashëm që tashmë njerëzit po sheshin pajisjet e tyre pas vendimit të Qeverisë.

“Derisa ka raste shumë të pakta të atyre që zhvendosen me pajisje në vende fqinje”, thotë Alaj.

“Mihja është bërë në Kosovë, meqë ishte edhe mundësia për ta bërë ilegalisht”, tregon ai për Bloomberg.

Është gjithashtu shumë lirë, meqë, siç dihet, veriu i Kosovës, pjesa e Mitrovicës Veriore, ku edhe ka ndodhur kjo veprimtari më së shumti, nuk paguan rrymë fare, pasi subvencionohet nga Qeveria e Kosovës.

“Prandaj, lëvizja e kësaj veprimtarie nga Kosova në vende të tjera do krijonte shpenzime shtesë me të cilat ata që deri tani bënin minig në Kosovë nuk është se janë të mësuar”, tregon Alaj.

Veç Bloomberg-ut që ka trajtuar temën e prodhimit të kriptovalutave në Kosovë dhe ndryshimet që erdhën me vendimin e qeverisë, gjithashtu edhe The Guardian ka shkruar për këtë çështje dhe media të tjera ndërkombëtare, po ashtu.