Bonucci ngre zërin për herë të parë te Milani, zbulohet kujt i bërtiti

Bonucci ngre zërin për herë të parë te Milani, zbulohet kujt i bërtiti

Leonardo Bonuçi në ditët e para si milanist pati rrëfyer se si ishte munduar që prania e tij të mos ndikonte mbi grupin.

Një futbollist me një CV si e tija nuk do të mund të rrinte gjatë në hije dhe ditën e djeshme e përditshmja italiane “La Repubblica” ka zbuluar se në fillim të përvojës së tij kuqezi, ish-mbrojtësi i Juves ka ngritur zërin përballë rrëmujës që disa futbollistë të rinj të Milanit po bënin në “Milanelo”, teksa Bonuçi dhe Suso ishin ndër të paktët futbollistë të ekipit të parë që gjendeshin të grumbulluar me Montelën.

Profesionalizmi i tij dhe dhënia e maksimumit në çdo seancë stërvitore e kanë bërë një futbollist të preferuar për trajnerët që e kanë stërvitur.

Një vit më parë, Konte dhe Guardiola ishin gati të bënin çmenduri për ta pasur në skuadrat e tyre, por pavarësisht ofertave shumëmilionëshe 30-vjeçari qëndroi te Juvja ku u shpall përsëri kampion duke treguar vlera prej lideri absolut në fushë, por edhe jashtë saj.

Sipas të njëjtit burim, mësohet se përpara fillimi të njërës prej stërvitjeve të para me fanellën e re, 30-vjeçari u është drejtuar të rinjve duke u thënë: “Mjaft me këtë sjellje, nuk po veproni si profesionistë dhe rrëmuja juaj më pengon përqendrimin në punë”.

Kanë mjaftuar këto fjali për të sjellë heshtjen, me Bonuçin që ka vendosur diktatin e tij për herë të parë në dobi të kauzës së Milanit duke u dhënë një shembull sjelljeje të rinjve të skuadrës. Me ardhjen në Milano nuk kërkoi të jepte shembullin me fjalë, ai shoqërohej nga dietologu i tij, një shembull i qartë i një profesionisti i të tilla nivelesh, i cili kuron çdo detaj të punës së tij.

Jo më kot mbrojtësi i kombëtares italiane ka fituar gjashtë tituj radhazi.

Sipas mediave italiane, marrëdhënia me Alegrin ishte vetëm një faktor, pasi siç ka treguar edhe vetë futbollisti, dëshira për të pasur motivime të reja ka ndikuar gjithashtu shumë për të bërë një zgjedhje të re për karrierën.