
Anëtarët e ri të Bordit të përkohshëm të Trepçës, Sylejman Hyseni, kryesues dhe drejtor i bordit, Bahri Hyseni, drejtor-përfaqësues i Republikës, Shyqri Kelmendi drejtor-përfaqësues i Republikës, Shyqri Sadiku, përfaqësues i punëtorëve, sot kanë marr vendim për shkarkimin e kryeshefit të kësaj ndërmarrjeje, Basri Ibrahimi, shkruan Gazeta Insajderi.
Por, me këtë vendim nuk po pajtohet kryeshefit Ibrahimi, i cili në një bisedë për Gazetën Insajderi, ka thënë se ky vendim është komplet politik, pa arsyetim dhe pa këshillë juridike.
Ai ka thënë se shkarkimi i tij sot ishte pa asnjë bazë ligjore teksa ka treguar se që nga emërimi i tij, 10 qershor i vitit të kaluar, kjo kompani publike ka pasur një ngritje prej 28% të prodhimit, ndërsa ka theksuar se muaji janar dhe mars i këtij vitit kanë qenë dy muajt me prodhim rekord prej nga paslufta për Trepçën.
“Sot shkarkimi im ishte pa asnjë bazë ligjore, e fshesa e VV-së gjoja se për ç’kapen e kompanisë publike po dëshmon qartë se është kapje e pastër e kompanive publike”.
“Unë që nga emërimi 10 qershor i vitit të kaluar kemi një ngritje të prodhimit për 28% ndërsa janari dhe marsi janë dy muajt me prodhim rekord prej nga paslufta në Trepçë. Këto asnjëra nuk kanë luajtur fare rol sepse qëllimi i kësaj qeverie qeveria Kurti përmes ministres Hajdari këtë vendim e kanë marrë me direktiva nga kjo ministresh”, është shprehur tashmë ish-kryeshefi i Trepçës, Basri Ibrahimi.
Por, përveç kësaj sipas Ibrahimit, vendimi për shkarkimin e tij është bërë nga një bord i cili nuk ka kuorum.
“Aq më keq, ky bord nuk ka as kuorum. Bordi i Trepçës duhet t’i ketë nëntë anëtarë, për të pasur kuorum duhet t’i ketë se paku 5 anëtarë për të marr çfarëdo vendimi qoftë. Ndërsa këta janë aq të padijshëm saqë nuk kanë ditur as ta emërojnë një bord që të ketë kuorum për të marr vendime. Katër anëtar janë, unë nuk e di, as nuk kanë biseduar me mua, as nuk kanë bërë vlerësim të performancës sime”, ka thënë Ibrahimi.
Ndërkohë, rreth 300 punëtorë të minierës së kombinatit “Trepça” në Stantërg, nga e premtja kanë ndërprerë punën, në kërkim të pagave. E në lidhje me këtë në një tubim të tyre, kanë qenë anëtarët e bordit, ku nga aty e kanë paralajmëruar shkarkimin e Ibrahimit.
Por, sipas Ibrahimit, krejt kjo ka qenë e kalkuluar nga ministrja Rozeta Hajdari. Ai tregoi se i ka paralajmëruar që punëtorët do të ndërmarrin masa nëse nuk ua qesin pagat, por siç thotë ai, Qeveria nuk ka lëshuar mjete për pagesën e tyre.
“Qeveria qëllimisht nuk i ka liruar këto mjete që të bëhet pagesa e punëtorëve vetëm për të nxitur pakënaqësi. Ministrja Hajdari, ka kalkuluar gjithçka vetëm mos të bëhet pagesa e punëtorëve. Po të them se e kemi ngritur prodhimin dhe nuk ka pasur ku të kapet tjetër. Bordi ka shkuar në tubimin e punëtorëve dhe publikisht kanë deklaruar që do të më shkarkojnë”.
“Kjo ngjanë me disa fushata të mëhershme, njëjtë sikurse kryeministri ka deklaruar publikisht që do ta shkarkojë bordin e Trepçës, e ka bërë sikurse në vitit e 90-ta, dmth është e njëjta filozofi, i njëjti koncept”, ka theksuar ai.
Basri Ibrahimi, po ashtu i ka dërguar Insajderit, vendimin për shkarkimin e tij.
Ai tregoi se ky vendim është pa arsyetim dhe pa këshillë juridike.
Ish-kryeshefi i ndërmarrjes “Trepça” pas vendimit për shkarkim, thotë se do të ndjekë rrugët ligjore, për çka shprehet i bindur që do të dalë fitues./ Insajderi.com