Bordi që emëroi Kurti shkarkon nga Ujësjellësi “Prishtina” ish-asamblistin e PDK-së

Bordi që emëroi Kurti shkarkon nga Ujësjellësi “Prishtina” ish-asamblistin e PDK-së

Bordi i Përkohshëm i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, i emëruar nga Qeveria e Kosovës javën e kaluar, ka shkarkuar nga detyra tre zyrtarë të ndërmarrjes, përfshirë ish-asamblistin e PDK-së në Kuvendin Komunal të Shtimes, Kujtim Xhelilin.

Xhelili mbante pozitën e Zëvendëskryeshefit në Ujësjellësin “Prishtina”.

Përveç Kujtim Xhelilit, Bordi i Përkohshëm i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” ka shkarkuar nga pozita edhe ushtruesin e detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv, Kapllan Parduzi dhe Zyrtarin Kryesor Financiar, Sokol Durakun.

Kujtim Xhelili ka qenë kryesues i kuvendit komunal nga PDK në Shtime në periudhën 2009-2013. Ai është i afërm i deputetit të PDK-së, Fatmir Xhelili.

Lajmin për shkarkimin e tre zyrtarëve të KRU “Prishtina” e ka konfirmuar, Sokol Duraku, i cili ka thënë se vendimi është puro politik.

“Po. Jam njoftuar sot [për shkarkimin]. Është vendim puro politik”, ka thënë ai për Insajderin. “Është shkelje e të gjitha ligjeve rregulloreve dhe procedurave”.