Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që t’i kthehen bisedimeve sa më shpejt, transmeton Insajderi.com.
Në një konferencë për media të mbajtur të hënën, ku shtoi se dialogu i lehtësuar nga BE-ja është rruga e vetme drejt normalizimit të raporteve.
“Gjatë këtyre ditëve kishim situatë shumë të vështirë në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. Kam biseduar dy herë me presidentin Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin Albin Kurti Kurti. Ngjarjet e fundit dhe marrëveshja për targat e automjeteve e arritur më 30 shtator tregojnë se dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian është mënyra e vetme për të shkuar përpara”, ka thënë ai në këtë adresim për shtyp.
“I kam thirrur të dy liderët që t’i kthehen dialogut kështu që ky proces mund të vazhdojë”, tha Borrell.
Ndërkohë ministri i punëve të jashtme i Kroacisë, Gordan Grliq Radman, thotë se liderët e Unionit kur të mblidhen pas një muaji në Këshillin Evropian në Bruksel, duhet të dalin me porosi të qarta në Ballkanin Perëndimor.
“Incidentet e fundit në Mal të Zi dhe ato në kufirin mes Serbisë dhe Kosovës, janë shkaktar për shqetësime të vërteta. Situata në Evropën Juglindore më saktësisht në Ballkanin Perëndimor po përkeqësohet dhe neve na duhet që të diskutojmë për këto çështje që të japim përgjigjjen tonë në mënyrë të detajuar”, ka thënë ai.
“Kjo duhet të bëhet në takimin e radhës të Këshillit Evropian që do të mbahet në muajin nëntor”, theksoi më tej Grliq Radman.
Këto deklarata u dhanë në kuadër të takimit dy ditor të ministrave të punëve të jashtme të 27 vendeve anëtare të BE-së që për dy ditë po zhvillon punimet në Luksemburg. /Insajderi.com