Borrell: Marrëveshja Kosovë-Serbi duhej të ishte arritur kohë më parë

Borrell: Marrëveshja Kosovë-Serbi duhej të ishte arritur kohë më parë

Shefi i Diplomacisë Evropiane, Josep Borrell, vlerëson se një marrëveshje gjithëpërfshirëse e detyrueshme mes Kosovës dhe Serbisë është vonuar dhe do duhej të ishte arritur kohë më parë.

blogun e tij, Borell shprehet se pret një konferencë ndërqeveritare me Serbinë në qershor dhe një takim brenda procesit të dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës në një nivel të lartë politik. Ai bën thirrje që 2021-ta të jetë vit i “përparimit” në të gjitha fushat midis Bashkimit Evoprian dhe Ballkanit Perëndimor, njofton Insajderi.

Më tej, në shkrimin e tij për takimin me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, Borrell nuk ka lënë pa përmendur edhe çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, gjë për të cilën thotë se e mbështetë plotësisht.

Borrell vlerëson se ka kaluar shumë kohë dhe “vendi i ka përmbushur të gjitha kriteret e ndërlidhura dhe tani duhet të bëjmë përparim për këtë çështje”.

Duke iu referuar darkës së punës që organizoi në Bruksel këtë javë për gjashtë udhëheqës nga Ballkani Perëndimor, ai theksoi se rëndësia e një takimi të tillë joformal ishte “aq më e madhe sepse rajoni është përsëri në një udhëkryq kur bëhet fjalë për Integrimin evropian”.

“Unë doja të bisedoja me udhëheqës nga Ballkani Perëndimor hapur dhe jozyrtarisht në lidhje me shqetësimet dhe propozimet e tyre kur bëhet fjalë për rajonin dhe të ardhmen e tij evropiane, por gjithashtu edhe kur bëhet fjalë për një qasje më strategjike të politikës së jashtme evropiane,” pohon ai.

Kreu i diplomacisë së BE-së shton se dëshira e tij është të “ndërtojë një marrëdhënie personale” me ata udhëheqës që kanë nevojë për “hapësirë ​​për të punuar në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë” dhe BE-në.

“Të gjithë udhëheqësit kanë deklaruar se ata kanë zgjedhur të vendosin integrimin në BE në krye të axhendave të tyre dhe të investojnë kapital maksimal politik për t’i sjellë njerëzit në rajon më pranë Bashkimit Evropian,” përfundon Borell./Insajderi.com