Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka kërkuar që incidentet e dhunshme në Veri të Kosovës të ndalen menjëherë.
Ai ka thënë se veprimet e pakontrolluara dhe të njëanshme mund ta rrezikojnë stabilitetin në rajon – si të tilla Borrell i cilëson “të papranueshme.
“Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE. Ne jemi në kontakt me Beogradin dhe Prishtinën”, ka shkruar ai në Twitter.
Mëngjesin e së mërkurës, Policia e Kosovës nisi një aksion në nivel vendi kundër kontrabandës së mallrave.
Aksioni kishte përfshirë edhe Mitrovicën e Veriut.
“Si rezultat i hetimeve intensive dhe veprimeve profesionale policore dhe të Doganës së Kosovës, deri më tani janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të cilat shërbejnë si prova materiale”, thuhej në njoftimin e Policisë.
Por, jo të gjithë ishin të bindur ndaj organeve të rendit.
Serbët lokalë në Mitrovicën e Veriut bllokuan rrugët, madje u përplasën edhe me policinë.
Sipas raportimeve të portalit në gjuhën serbe “Kosovo-online” policia kishte hedhur gazlotsjellës mbi protestuesit. Por, Policia përmes një njoftimi tregoi se “grupet kriminale kishin rrezikuar jetën e zyrtarëve policorë”.