Borrell: Nëse s’mund të zgjidhim problemet në Ballkan, s’mund të jemi aktor i rëndësishëm global

Borrell: Nëse s’mund të zgjidhim problemet në Ballkan, s’mund të jemi aktor i rëndësishëm global

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka deklaruar të martën se zgjidhja e problemeve në Ballkan është një përgjegjësi e Bashkimit Evropian, dhe se nga kjo varet edhe roli global i BE-së, transmeton Insajderi.

Ai i bëri komentet në një debat kushtuar dhjetë vjetorit të krijimit të Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të BE-së, një lloj shërbimi i përbashkët diplomatik evropian, ku morën pjesë edhe dy paraardhës të tij, Javier Solana dhe Federika Mogherini.

“Nëse nuk mund të zgjidhim problemet në Ballkan atëherë si mund të jemi aktor i rëndësishëm global”, ka thënë Borell.

Përfaqësuesi Iartë i BE-së, foli për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe përsëriti se ky problem duhet të zgjidhet në kuadër të perspektivës evropiane. Në anën tjetër, ai mirëpriti edhe gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar në këtë proces.

“Na vjen mirë që SHBA-të duan të ndihmojnë, por është BE-ja ajo që udhëheq këtë proces. Vetëm BE mund të paraqes ofertën e rëndësishme për njerëzit atje dhe ajo është perspektiva evropiane. Në kuadër të kësaj perspektive duhet të zgjidhet problemi”, ka thënë Borell.

Ai edhe një herë ka shprehur kënaqësinë për rifillimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që në fillim të mandatit të tij. /Insajderi.com