Borrell: Status quoja në negociata në mes Kosovës dhe Serbisë i padurueshëm

Situata aktuale "status quo" në të cilën gjenden bisedimet në mes Kosovës dhe Serbisë janë të padurueshme, ka deklaruar shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell. Ai shtoi se negociatat nga të dy palët duhet të rifillojnë sa më shpejt që të jetë e mundur.

Borrell: Status quoja në negociata në mes Kosovës dhe Serbisë i  padurueshëm

“Nuk ka asnjë alternativë për rifillimin urgjent të normalizimit të bisedimeve midis Prishtinës dhe Beogradit. Serbia dhe Kosova duhet të krijojnë një atmosferë që është e përshtatshme për vazhdimin e dialogut, për përfitimin e të dy palëve”, ka thënë Borrell duke u përgjigjur në një pyetje parlamentare të bërë nga një ultradjathtiste.

Në këtë mënyrë, ai u përgjigj në pyetjen e deputetes ultrandjathtiste franceze, Dominque Bilde se si ndikon në normalizimin e marrëdhënieve midis dy palëve ajo që në funksionet e larta shtetërore në administratën kosovare “gjenden njerëzit të cilët janë të dënuar apo të akuzuar se kanë kryer krime lufte”.

Borrell, në një përgjigje me shkrim, përkujtoi se gjatë vizitës së tij në Serbi dhe Kosovë në janar të këtij viti, ai theksoi gatishmërinë e tij për të marrë rolin e ndërmjetësit në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës në emër të Bashkimit Evropian, dhe se ai do të vazhdojë bashkëpunimin me të gjithë aktorët politikë në Kosovë dhe Serbi.

Në këtë drejtim, Borrell përshëndeti vendimin e Qeverisë së Kosovës për të shfuqizuar taksat doganore për produktet nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina, duke vlerësuar se kjo masë kishte efekte pozitive në rifillimin e tregtisë në rajon dhe sigurimin e qarkullimit të mallrave të nevojshëm për të luftuar COVID-19.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së pret që, pas heqjes së doganave, “do të ketë një rifillim të shpejtë të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që të përmirësohen dukshëm marrëdhëniet reciproke” dhe shton se emërimi i Miroslav Lajcak në postin e përfaqësuesit të posaçëm për dialog dhe çështje të tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor tregon një dëshirë të fortë nga ana e BE-së për të vazhduar angazhimin e saj në dialog./Insajderi.com.