Borrell: Tash Kosova e Serbia të bëjnë progres të shpejtë në dialog

Borrell: Tash Kosova e Serbia të bëjnë progres të shpejtë në dialog

Shefi i Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, e ka mirëpritur marrëveshjen e arritur sot në Bruksel midis Kosovës dhe Serbisë për shtensionim të situatës në veri të Kosovës, njofton Insajderi.com.

Borrell derisa ka përshëndetur këtë marrëveshje të arritur nga kryenegociatorët e dy vendeve, thotë se Kosova dhe Serbia tani duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog që të bëjnë përparim të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve.

“Mirëpresim marrëveshjen e arritur në mes të kryediplomatëve të Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Miroslav Lajçak, për të ulur tensionet në veri të Kosovës”, është shprehur Borrell.

“Të dyja, Kosova dhe Serbia, duhet tash të angazhohet me konstruktivitet në dialog që të bëjnë progres të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve”, ka përfunduar ai.

Ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar se është arritur një marrëveshje me palët lidhur me krizën e shkaktuar së fundmi në veri të Kosovës.

Kështu është shprehur ai me anë të një njoftimi në llogarinë e tij në Tëitter, ku falënderoi palët përgatishmërinë e tyre për të negociuar.

Në këtë postim, Lajçak ka publikuar edhe marrëveshjen e arritur midis kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

“Ne kemi një marrëveshje! Pas dy ditëve negociata intensive, një marrëveshje për deeskalim dhe rrugën para është arritur”, ka shkruar ai.

“Dua të falënderoj Besnik Bislimin e Petar Petkoviqin për gatishmërinë për të negociuar dhe u pajtuar për të mirën e njerëzve”, shtoi më tej Lajçak.

Sipas marrëveshjes së arritur sot me ndërmjetësimin e BE-së, forcat e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës që janë vendosur në Jarinjë dhe Bërnjak për më shumë se 10 ditë, do të largohen, por njëhkohësisht do të largohen edhe bllokadat e vendosura në rrugë.

Kjo tërheqje do të ndodhë të shtunën, më 2 tetor në orën 08:00 dhe do të përfundojë maksimalisht deri në orën 16:00.

KFOR-i do të vendoset në këto dy pika kufitare para se të nisë largimi i sinkronizuar dhe do të qëndrojë për dy javë për të mbajtur ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë.

Në pikën 2 të marrëveshjes, nga 4 tetori, ora 8:00, hyn në fuqi regjimi i letrave ngjitëse me të cilat do të mbulohen elementet shtetërore në targat e veturave të Kosovës dhe Serbisë.

Çfarë ndodhi në Veri të Kosovës?

Gjithçka nisi në mëngjesin e së hënës, kur Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës u pozicionuan në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak për të siguruar se po zbatohet masa e reciprocitetit me Serbinë për targat.

Serbët e veriut nuk u pajtuan me këtë aksion që për qëllim kishte vendosjen e rendit. Një numër i madh i tyre dolën në rrugë, ku pos protestave – bllokuan rrugët me dhjetëra kamionë.

Nuk vonoi shumë dhe po atë ditë filloi seanca e Kuvendit të Kosovës. Aty me targa në dorë doli kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. “Targat e përkohshme nuk janë dëshirë e jona, por imponim nga pala tjetër”, tha ai para deputetëve.

Por, ai gjeti kundërshtim nga opozita, të cilët thanë se “po bën shoë”, duke aluduar te zgjedhjet lokale që pritet të mbahen më 17 tetor. Kurtin për këtë masë e kundërshtoi edhe një pjesëtar i kabinetit të tij. Goran Rakiq – kryetar i Listës Serbe, kërkoi nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, që të reagonte.

Njeriu nga i cili Rakiq kërkon reagim, Aleksandër Vuçiq, sipas raportimeve të mediave serbe, thirri menjëherë mbledhje urgjente të Këshillit për Siguri Kombëtare. Ai paralajmëroi masa ekonomike e politike ndaj Kosovës.

Në po atë natë, derisa protestat vazhduan – ato filluan të bëhen edhe më tensionuese. Përveç tendave të vendosura nga banorët serbë të asaj zone, me çka treguan se nuk e kanë ndërmend të ndalen, të njëjtit ngritën edhe një baner të madh me mbishkrimin “Mirësevini në Asociacionin e Komunave Serbe”.

Baneri “Mirësevini në Asociacionin e Komunave Serbe” në Jarinje

Gjatë asaj kohe, edhe Serbia nuk qëndroi duarkryq. Mediat serbe publikuan disa pamje ku shiheshin dhjetëra autoblinda që u nisën për në kufi.

Derisa gjithçka po ndodhte në vazhdimësi, aleatët ndërkombëtarë bënin thirrje vazhdimisht për ulje të menjëhershme të tensioneve. Thirrjet ishin pothuajse të njëjta sikurse nga Bashkimi Evropian, edhe nga SHBA-të e vendet e QUINT-it, të cilët kërkuan nga palët që të ulen në tavolinën e bisedimeve.

Madje, ambasadorët e këtyre të fundit i priti në takim kryeministri Kurti, pas së cilit bëri të ditur se vendimi i marrë të hënën do të qëndrojë derisa pala serbe të veprojë sikurse Kosova deri tani, ose që të dyja vendet të vazhdojnë me këtë masë.

Përfaqësuesit e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc kanë kërkuar të përjashtohen nga reciprociteti me targa, por si përgjigje nga kryeministria e Kosovës gjetën “kompenzimin që do t’u bëhet shumë shpejt bashkëkombasve që do të dëmtohen nga ky vendim”.

Ditët kalonin dhe situata çdo herë vinte e bëhej edhe më e paqartë se çfarë do të ndodhë në vijim. Ushtria serbe nisi provokimet e saj edhe nga ajri.

Për dy ditë me radhë janë parë disa helikopterë serbë duke vëzhguar situatën brenda kufirit të Kosovës, me ç’rast bënë që të reagojë edhe KFOR, i cili shpeshtoi patrullimet deri në momentin kur edhe u arrit marrëveshja për të vëzhguar terrenin që kishte në dorë Njësia Speciale e Policisë së Kosovës për dy javë rresht. /Insajderi.com