Bosët e veriut fitojnë rreth 40 milionë euro në vit

Bosët e veriut fitojnë rreth 40 milionë euro në vit
Burimi i fotografisë: Prishtina Insight

Sipas raportit të Iniciativës Globale Kundër Krimit të Organizuar në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, nga aktivitet e paligjshme në veri të Kosovës buxheti i shtetit humb rreth 750 mijë euro në javë, ku zhvillohet kontrabandë me derivate, kontrabandë e materialit ndërtimor, e barnave, e cigareve etj. Sipas një kalkulimi të thjeshtë del se brenda vitit nga këto aktivitete ilegale arka e shtetit humb rreth 40 milionë euro në vit

Rreth 750 mijë euro vlerësohet se i humb buxheti i Kosovës në javë nga aktivitetet e paligjshme në veri të Kosovës, përderisa derivatet e naftës janë mallrat që më së shumti kontrabandohen nga veriu në jug.

Pos derivateve të naftës, në atë pjesë të vendit ka edhe kontrabandë të materialit ndërtimor, të barnave, të makinave, të cigareve, të artikujve ushqimorë etj.

Kështu thuhet në raportin e publikuar para dy ditësh në Vjenë të Austrisë nga Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar në gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni e Veriut dhe Serbi), të cilin raport e posedon edhe gazeta “Zëri”.

Gazeta “Zëri” në numrin e së martës (dje) ka botuar vazhdimin e parë të raportit, ku flitej mbi funksionimin e grupeve kriminale në Ballkanin Perëndimor, të cilat e kontrollojnë një korridor, që shfrytëzohet për trafikimin e qenieve njerëzore, drogës, armëve, cigareve, makinave etj…