
Pas Serbisë, edhe Bosnja dhe Hercegovina ka reaguar për vendimin e sotëm të Qeverisë së Kosovës për rritjen e taksës deri në 100 për qind për produktet që importohen nga këto dy shtete.
Ministri i Tregtisë dhe Ekonomisë së Bosnjës, Mirko Saroviq ka thënë se nuk ka marrë ndonjë njoftim zyrtar nga Prishtina për rritjen e taksës, transmeton lajmi.net.
Megjithatë, sipas tij nëse ka ndodhur një gjë e tillë, atëherë kjo do të ishte goditja më e madhe për marrëveshjen e CEFTA-s.
“Nëse njëmend Kosova ka vendosur këto masa. Atëherë kjo është goditja më e madhe që i është bërë CEFTA-s ndonjëherë”, ka thënë ai.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se gjatë ditës së nesërme, Këshilli i Ministrave të Bosnjës do të diskutojë për veprimin që ai e quan të njëanshëm.