Mbi 600 aplikime për viza të shtetasve të Bosnjës dhe Hercegovinës janë refuzuar nga Kosova. Të shtyrë nga kjo situatë, autoritetet boshnjake kanë propozuar bisedime me Kosovën me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Por, këto bisedime nuk nënkuptojnë njohjen e Kosovës nga Bosnja dhe Hercegovina
Bosnja dhe Hercegovina ka ritheksuar se nuk e ka në plan ta njoh pavarësinë e Kosovës, por ka propozuar hapjen e një etape negociatash me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian për çështjen e lëvizjes së lirë.
Bosnja është ankuar se Kosova është një nga vendet që më së shumti po ua refuzon vizat boshnjakëve.
Zoran Perkoviq, këshilltar i ministrit të Punëve të Jashtme Igor Crndak, ka folur për gazetën online Insajderi lidhur me ofertën boshnjake.
Perkoviq ka nënvizuar faktin se Bosnja dhe Hercegovina nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës sepse ky është vendimi dhe qëndrimi politik që mban Bosnja në raport me Kosovën.
“Bosnja dhe Hercegovina nuk ka qëllim që ta pranojë pavarësinë e Kosovës, ai është një vendim politik dhe ju e dini këtë”, ka thënë Perkoviq në një bisedë ekskluzive për gazetën online Insajderi.
Në anën tjetër, edhe përkundër këtij qëndrimi politik të Bosnjës, sipas tij pritet që shumë shpejtë të ketë zhvillime pozitive në fusha të tjera, ashtu sikurse edhe në përmirësimin e raporteve me Kosovën dhe lehtësimin e regjimit të vizave mes të dyja vendeve.
“Ne presim që gjatë këtij muaji apo fillimit të muajit të ardhshëm të ulemi për herë të parë për të biseduar. Gjatë këtij takimi shpresojmë mund të arrihet një zhvillim i mirë për përmirësimin e raporteve me Kosovën”, ka deklaruar Perkoviq.
Ai ka shtuar se për të përmirësuar raportet mes të dyja vendeve, është i nevojshëm një dialog administrativ mes të dy vendeve dhe ne shpresojmë se një i tillë do të arrihet shumë shpejtë.
Perkoviq ka treguar mes tjerash edhe për mundësinë e organizimit të një takimi bilateral Kosovë-Bosnje e Hercegovinë me ndihmën e Komisionit Evropian.
“Në do të përpiqemi që nëpërmjet Komisionit Evropian që në një afat të shkurtër të organizojmë edhe takimin e parë me kolegët nga Kosova dhe nga Komisioni Evropian kemi marrë informacione që pala Kosovare ka shprehur gatishmërinë që të merr pjesë në një takim të tillë”.
Zyrtari i Bosnjës ka thënë se ky takim do të shfrytëzohet për t’u diskutuar çështja e regjimit të vizave dhe mënyra më e lehtë për ta zgjidhur atë.
“Në takimin e parë që mund ta kemi me kolegët nga Kosova do të shfrytëzohet rasti që të diskutohet për çështjen e regjimit të vizave dhe të shohim se në cilën mënyrë ato dokumente do të mund të ishin të pranueshme nga të dyja palët”, ka thënë Perkoviq për Insajderi.com.
Ai ka vlerësuar se takime dhe diskutime të tilla do të ishin në interes të të dyja palëve duke nënvizuar që Bosnja dhe Hercegovina është e gatshme që të ndërmarrë hapa pozitiv në zgjidhjen e çështjes së komunikimit të njerëzve mes të dyja vendeve.
Gjatë kësaj bisede, Perkoviq ka përmendur edhe një fakt tjetër, ku sipas tij, shtetasit e BeH janë më të refuzuarit në kërkesat për viza të Kosovës, menjëherë pas Indisë. Sipas tij, mbi 600 kërkesa për viza të shtetasve të Bosnjës janë refuzuar nga Republika e Kosovës.
Ai ka shpjeguar se shtetasit e Bosnjës duhet që të udhëtojnë në Tiranë apo Zagreb për të bërë kërkesën për vizën e Kosovës, teksa në anën tjetër, shtetasit e Kosovës mund të udhëtojnë në Bosnje dhe Hercegovinë vetëm në raste të veçanta, nëse janë të ftuar, nëse janë pjesë e ndonjë delegacioni apo ndonjë rasti tjetër të veçantë.
“Ne dëshirojmë që të arrijmë një marrëveshje që të gjithë shtetasit pa përjashtim të mund të udhëtojnë në të dyja anët. Si për qëllime turistike, për arsim dhe edukim, për qëllime biznesore dhe arsye të tjera”
Në fund Perkoviq ka thënë se çdo takim dhe çdo marrëveshje mes Kosovës dhe Bosnjes e Hercegovinës do të ishte në interes të të dyja vendeve. /Insajderi.com.