Brenda 24 orëve COVID-19 ia merr jetën çiftit nga Vitia, gruaja vdiq teksa burri saj po varrosej

Brenda 24 orëve COVID-19 ia merr jetën çiftit nga Vitia, gruaja vdiq teksa burri saj po varrosej

Një 69-vjeçare ka vdekur të shtunën në momentin kur bashkëshorti i saj, 75-vjeçar po varrosej në fshatin Kabash të Vitisë.

Shqip.com ka kontaktuar me Drejtoreshën e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Viti, Vjollca Kadolli, e cila e ka bërë të ditur se ata ishin të infektuar me Coronavirus.

Ajo tha se bashkëshorti i së ndjerës kishte ndërruar jetë mbrëmjen e së premtes, pasi që ishte liruar për në shtëpi, sepse ishte duke marrë trajtim në Spitalin e Gjilanit që nga 14 shtatori.

“Po, e vërtetë, në momentin kur kanë qenë duke e varrosur burrin, gruaja ka ndërruar jetë. Nuk e di a ka qenë në shtëpi apo në spital në momentin e vdekjes. Po mbrëmë ka vdekur bashkëshorti, sot ka vdekur bashkëshorjtja, të dytë kanë qenë me COVID-19. Bashkëshorti ka vdekur në mbrëmje, rreth orës 22:00, kurse gruaja nuk e di saktë orën.

Burri ka qenë i lindur në vitin 1946, kurse gruaja në 1952. Kanë qenë më 14 shtator duke u trajtu në Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan, por mbrëmë ai ka vdekur në shtëpi, sepse është liru nga Spitali”, tha Kadolli për Shqip.com.

Tutje, ajo tha se e ndjera ka vdekur në shtëpi pasi që edhe ajo ishte liruar nga trajtimi në Spital.

Ndryshe, gjatë 24 orëve të fundit, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se janë shënuar 11 vdekje dhe 259 raste të reja me Coronavirus./Insajderi.com