Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, (FSSHK) Blerim Syla, ka thënë se vetëm dje janë testuar për Covid-19, 168 punëtorë shëndetësorë, 64 prej të cilëve kanë rezultuar pozitivë.
Siç thotë Syla, gjendja për personelin shëndetësor është brengosëse dhe alarmante, meqë të dhënat e IKSHPK-së deri ditën e djeshme, tregojnë se 397 punëtorë shëndetësorë janë raste aktive me coronavirus.
“Gjendja është shumë brengosëse dhe alarmante. Deri dje kemi pasur 397 punëtorë shendetesorë aktiv si të infektuar. Kemi një numër të të shëruarve mirëpo nuk kemi numër të saktë sa janë vetizoluar. Rezultatet e tyre nuk po bëhen menjëherë. Vetëm dje prej 168 sa janë testuar, 64 punëtorë shëndetësorë kanë rezultuar pozitiv”, ka thënë Syla në RTV Dukagjini.
Bazuar në njoftimin e fundit të institucioneve shëndetësore në lidhje me rastet aktive me virusin Corona në vendin tonë, dy mijë e 804 persona vazhdojnë të jenë të infektuar. /Insajderi.com/