Brenda një viti, tre persona vdiqën në motele në Kosovë

Brenda një viti, tre persona vdiqën në motele në Kosovë

Tre persona, dy prej tyre në moshë të shtyer, kanë vdekur në motele në Kosovë brenda një viti.

Vdekja e parë në motel, gjatë kësaj periudhe kohore, është regjistruar në muajin mars të vitit 2019 kur në Gjilan kishte ndërruar jetë një 74-vjeçar.

Bëhet fjalë për një person, viti i lindjes (1945), i cili derisa po qëndronte në një dhomë të motelit me një grua, ishte alivanosur. Kjo e fundit kishte lajmëruar policinë.

Policia bashkë me autoambulancën dhe ekipet tjera kishin shkuar në vendin e ngjarjes, ku mjeku kujdestar e kishte konfirmuar vdekjen e personit në fjalë.

“Raportohet se viktima mashkull K/Shqiptar ishte alivanosur. Në vendin ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe ekipi mjekësor i cili e ka konstatuar se viktima kishte qenë pa shenja jete”, kishte deklaruar Policia e Kosovës më 20 mars të vitit 2019.

Ndërkohë, rreth gjashtë muaj pas kësaj ngjarje, një tjetër person kishte vdekur në një motel në Graçanicë. Më shumë informacione për këtë ngjarje nuk ishin bërë publike.

“Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, kishte thënë Prokuroria e Shtetit në një raport 24-orësh më 6 shtator të vitit të kaluar.

Një rast i tillë ka ndodhur edhe dje, më 8 janar 2020, në Gjilan. Bëhet fjalë për një 72-vjecar i cili ka vdekur në dhomën e motelit.

Rastin për Insajderin e ka konfirmuar Policia Rajonale e Gjilanit. I moshuari kishte shkuar në motel me një grua. Por ajo ka ikur nga vendi i ngjarjes. /Insajderi.com