Si pasojë e aksidenteve me traktorë, dy persona kanë humbur jetën në Kosovë për më pak se 24 orë.
Aksidenti i parë ka ndodhur dje rreth orës 11:00 në fshatin Sylejvicë të Podujevës, ku kishe mbetur i vdekur një 40 vjeçar.
Lajmin për Insajderin e kishte bërë të ditur edhe mjeku kujdestar në Emergjencën e Podujevës.
Siç raportuam mbrëmë viktima është E.B nga fshati Metehi i komunës së Podujevës.
Pas rrokullisjes me traktor ka ndërruar jetë edhe një i ri mbrëmjen e kaluar.
Një 23 vjeçar me inicialet B.H ka mbetur i vdekur, pasi nuk arriti tu mbijetojë plagëve.
Lajmin e konfirmoi sot në mëngjes edhe zyrtarja për informim nga Policia e Mitrovicës, Fexhrije Pllana.
“Rasti ka ndodhur mbrëmë, rreth orës 22:20 është raportuar rasti që një person nga rrokullisja e traktorit ka ndërruar jetë në fshatin Rezhanë, viktima i moshës rreth 23-vjeç. Njësitë patrolluese dhe ekipi i emergjencës kanë dalë në vendin e ngjarjes, rasti po cilësohet si vdekje aksidentale”, tha Pllana për Insajderin.
Numri i aksidenteve në verën e këtij viti ka qenë jashtëzakonisht i madh.
Në muajin qershor dhe korrik 6 persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve, kurse mbi 1 mijë persona tjerë kanë kërkuar ndihmë në QKUK si pasojë e lëndimeve të marra. /Insajderi.com