Brenda sa ditësh duhet të emërohet shefi i ri i AKI-së?

Brenda sa ditësh duhet të emërohet shefi i ri i AKI-së?

Shefi i Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës, Driton Gashi është larguar zyrtarisht nga detyra pasi që një gjë të tillë ia kërkoi kryeministri Ramush Haradinaj.

Haradinaj ia kërkoi dorëheqjen një ditë pas aksionit për arrestimin dhe deportimin e gjashtë “gylenistëve” nga Kosova, me arsyetimin se nuk e ka njoftuar për këtë aksion. Gashi e ka dorëzuar dokumentin e dorëheqjes para disa ditëve mirëpo dje e ka pasur ditën e fundit të punës.

Por, brenda sa ditësh duhet të emërohet shefi i ri I Inteligjencës kosovare shpjegohet përmes ligjit për Agjencinë Kosovare të Inteligjencës.

Neni 5 sqaron se presidenti së bashku me kryeministrin emërojnë drejtorin e AKI-së “brenda njëzet ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë”.

Ndërsa shefi i AKI-së shkarkohet nëpërmjet procesit të njëjtë me të cilin është emëruar. Kësisoj, ligji sqaron se ai ka mandat pesëvjeçar, i cili mund të vazhdohet edhe një herë.

“Drejtori i AKI-së duhet të ketë arsimim universitar dhe duhet të emërohet mbi baza të profesionalizmit dhe përvojës së dëshmuar. Ai shërben si këshilltar i presidentit dhe kryeministrit të Republikës së Kosovës për çështje të inteligjencës që kanë të bëjnë me sigurinë e Kosovës si dhe njofton presidentin dhe kryeministrin e Republikës së Kosovës”.