Britaniku Michael Davenport emërohet shef i ri i OSBE-së në Kosovë

Britaniku Michael Davenport emërohet shef i ri i OSBE-së në Kosovë

Diplomati britanik, ambasadori Michael Davenport, ka marrë të hënën detyrën e shefit të misionit të OSBE-së në Kosovë, njofton Insajderi.

Derisa erdhi në krye të kësaj detyre, Davenport tha se është privilegj të udhëheqë këtë ekip dhe e mirëpret punën në partneritet me të gjitha palët e interesit për zbatimin e mandatit të Misionit.

“OSBE-ja ofron mbështetje të shkëlqyeshme për të drejtat e njeriut, demokratizimin dhe sigurinë publike në Kosovë. Është privilegj të udhëheqësh një ekip të fortë që sjell ekspertizë dhe përvojë të jashtëzakonshme në të gjitha këto fusha. E mirëpres punën në partneritet me të gjitha palët e interesit për zbatimin e mandatit të Misionit,” tha ambasadori Davenport.

Ambasadori Davenport ka përvojë të gjatë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pasi ka shërbyer si Ambasador i BE-së dhe Shef i Delegacionit të BE-së në Serbi nga viti 2013 deri 2017 dhe si Ambasador Britanik në Serbi nga viti 2010 deri në 2013. Mes viteve 2007 dhe 2010 ka shërbyer si Drejtor për Rusinë, Kaukazin Jugor dhe Azinë Qendrore në Zyrën e Jashtme dhe të Komonuelthit të Mbretërise së Bashkuar.

Nga viti 2017 Ambasadori Davenport ka shërbyer si Ambasador Britanik në Kuvajt.

Ambasadori Davenport, një avokat i kualifikuar britanik dhe diplomat, ka përvojë në mbikëqyrjen e programeve në fushat e sundimit të ligjit, të drejtave të pakicave dhe qeverisjes së mirë.

Ai është shefi i tetë me radhë i Misionit të OSBE-së në Kosovë që nga themelimi në vitin 1999 dhe e pason Ambasadorin Jan Braathu nga Norvegjia. /Insajderi.com