
Kryeministrja aktuale e Serbisë, Ana Brnabiq, ka komentuar vizitën e delegacionit amerikan në Serbi, duke thënë se s’i kujtohet ndonjë periudhë tjetër kohore kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin kaq të lidhura me Serbinë, njofton Insajderi.
Duke folur për Radio Televizionin shtetëror serb, Brnabiq tha se ky raport i afërt përbën nisjen e një epoke të re në marrëdhëniet ekonomike dhe politike midis Serbisë dhe Amerikës.
“Unë nuk e di nëse kishte marrëdhënie të tilla, nëse nuk shkojmë te Presidenti Woodrow Wilson”, tha Brnabiq, duke shtuar se delegacioni amerikan në krye me Richard Grenell është “delegacioni më i fortë që Amerika ka dërguar ndonjëherë në Serbi”.
E pyetur nëse temat politike nga marrëveshja e Uashingtonit ishin diskutuar në takim me amerikanët, ajo pohoi se muhabeti ishte kryesisht për pikat ekonomike, duke shtuar se një jetë më e mirë ekonomike e qytetarëve mund të mundësojë që të diskutohen edhe çështje të tjera më pas./Insajderi.com