Serbia dhe Kosova janë shumë larg një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse paqësore, ndonëse kanë filluar bisedimet rreth një shkëmbimi të mundshëm territoresh për ta lehtësuar arritjen e një marrëveshjeje, ka thënë Ana Brnabiq, kryeministre e Serbisë, në një intervistë për gazetën “Financial Times”.
“Personalisht, do të doja marrëveshje të ndonjë forme sa më shpejtë të jetë e mundur. Sidoqoftë, nuk mendoj se në realitet jemi shumë afër një marrëveshjeje”, ka thënë ajo.
Sipas gazetës britanike, deklarata e kryeministres është rikujtuese se po diskutohet për çështje jashtëzakonisht delikate kulturore, historike, politike dhe territoriale midis liderëve të Serbisë dhe të Kosovës, përderisa progresi është larg të qenit i garantuar, me gjithë përkrahjen e SHBA-së dhe BE-së për dialogun, transmeton Koha.net.
“Shpesh them se aktualisht jemi të ngujuar në një pozitë paksa skizofrenike, midis politikës së shekullit 21 dhe politikës së shekullit 19-të”, ka thënë Brnabiq.
Ajo ka thënë se liderët e Kosovës janë duke bërë gabim të rëndë, po qe se presupozojnë se dialogu me Beogradin do të rezultojë me njohjen formale nga Serbia të pavarësisë së Kosovës.
“Kur ata mendojnë se, ‘Po, Serbia thjeshtë do ta njohë pavarësinë tonë’, paj një gjë e tillë është e qartë se nuk do të ndodhë”, ka thënë Brnabiq. “Duhet të zhvendosen nga pozicioni i tyre komod dhe të na takojnë në gjysmë të rrugës, ku i presim. Të arrijmë kompromis, pa marrë parasysh se çfarë mund të përmbajë ai kompromis”.
Ajo nuk mendon se një marrëveshje ndërmjet palëve për territorin do të hapte “kutinë e Pandorës” në Ballkan, përkundrazi, sipas saj kjo marrëveshje do ta mbyllte “kutinë e Pandorës”.
“Kutia e Pandorës është hap dhjetë vjet më parë, kur shtetet njohën Pavarësinë e Kosovës. Ajo që ne po përpiqemi të bëjmë është ta mbyllim ‘kutinë e Pandorës’” , është shprehur ajo.
Derisa për shkëmbimin e territorit thotë se, “është njëra pjesë e mundshme e zgjidhjes përfundimtare, por ajo duhet të jetë më gjithëpërfshirëse”.