Brnabiq: Serbia po e nënshkruan marrëveshjen për roming

Kryeministrja Ana Bërnabiq ka deklaruar se Serbia është e përkushtuar për bashkëpunim rajonal dhe se për këtë do të jetë njëra nga nënshkrueset e marrëveshjes për romingun rajonal e cila do të duhej të shërbejë për qytetarët dhe ekonomi.

Brnabiq: Serbia po e nënshkruan marrëveshjen për roming

Bërnabiq ka thënë pas takimit me komisionarin evropian për zgjerim Johannes Hahn se është mirë që një marrëveshje e tillë të nënshkruhet, mirëpo “nuk është fer” që do të nënshkruhet në momentin kur Prishtina nuk po e respekton marrëveshjen CEFTA.

“Vendimi i Prishtinës për taksa është pengesë për të gjitha iniciativat tjera rajonale”, ka thënë Bërnabiq dhe e ka falënderuar Hahnin dhe BE për kërkesën që vendimi për taksa të tërhiqet.

“Serbia mbetet e përkushtuar për rajonin i cili është i lidhur, i fortë i integruar dhe i cili i ofron qytetarëve vizion ndryshe për të ardhmen”, ka thënë Bërnabiq.

Komisionari Hahn ka vlerësuar se Serbia “është vend i lidhur me rajonin dhe se prej kësaj më së shumti përfitime ka ekonomia”.

“E kuptojë zemërimin për taksa, sepse kjo është në kundërshtim me idenë për treg të përbashkët dhe e pengon tregtinë rajonale”, ka thënë ai dhe ka theksuar se është me rëndësi të punohet në bashkëpunim rajonal.

Marrëveshja e romingut rajonal duhet të nënshkruhet gjatë Samitit Digjital i cili do të mbahet më 4 dhe 5 prill në Beograd./Insajderi.com.