Brovina është e gatshme që të japë dorëheqje

Deputetja e PDK-së, Flora Brovina, ka folur pas intervistimit në stacionin policor në Prishtinë lidhur me fotografinë të cilën e publikoi dje në hollin e Kuvendit. Ajo insistonte se në fotografi ishte paraqitur një grua shqiptare duke u dhunuar nga disa ushtarë serbë në sy të familjarëve. Por pak orë pas publikimit, doli se fotografia ishte e rreme.

Pak pasi kishte folur për gazetarët e shumtë që e prisnin jashtë objektit të stacionit të Policisë, Brovina u pyet nëse është e gatshme të japë dorëheqje. Deputetja nuk e mohoi mundësinë që të dorëhiqet nga pozita e deputetetes së Kuvendit.

“Jam në disponim për çdo gjë, sepse përmbi mua është historia e shtetit tim. Unë jam person i parëndësishëm”, ka thënë Brovina para gazetarëve.

Brovina ka thënë se kryparlamentari Kadri Veseli nuk e ka ditur që ajo ka me vete fotografi të tilla.

“Ai nuk e ka ditur rastin. Kam pasë dokumente me vete që nuk dija cilën ta paraqes si më të fortën”, ka thënë ajo. “Kam dhënë info në cilësinë e dëshmitares”, ka theksuar Brovina. /Insajderi.com