Kanë filluar takimet në nivel ekspertësh në mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut.
Këto bisedime zhvillohen nën udhëheqjen e Bashkimit Evropian.
Në fillim delegacionet do të takohen me të dërguarin special të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak e më pas takimi i përbashkët, njofton Insajderi.
Takimet bilaterale të BE-së me delegacionin e Kosovës, e pastaj edhe atë të Serbisë do të zgjasin tërë paraditen.
Të zhvendosurit dhe bashkëpunimi ekonomik janë këto dy tema ku ishte diskutuar edhe në takimin e fundit në nivel ekspertësh në muajin korrik dhe pritet të zhvillohet edhe sot
Delegacionin e Kosovës në bisedimet e nivelit të ekspertëve e udhëheq koordinatori shtetëror për dialogun, Skender Hyseni, ndërsa ai pritet të jetë i shoqëruar edhe nga Muhamet Mustafa dhe Ibrahim Makolli si ekspertë për temat që janë në rend dite, raporton rel.
Drejtori i së ashtuquajturës, “Zyre për Kosovën”, Marko Gjuriq, do ta udhëheqë delegacionin serb.
Prej kur kishte rifilluar dialogu në nivelin e lartë, pos dy takimeve të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë zhvilluar edhe tri takime në nivel ekspertes. Shefi i delegacionit të Kosovës në këto takime, Skender Hyseni, gjithmonë ka insistuar se bisedimet janë politike e jo teknike dhe se në to po përgatitet marrëveshja gjithëpërfshirëse, e cila do të përmbajë edhe njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.
Në anën tjetër, delegacioni i Serbisë ka hedhur poshtë se po flitet për njohjen e Kosovës dhe ka insistuar se duhet të flitet edhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve, të cilat janë arritur më parë në këtë dialog.
Një javë pas takimit të sotëm në Bruksel, do të zhvillohet edhe takimi i nivelit të lartë në Uashington i thirrur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në BE atë takim nuk e shohin si konkurrencë apo garë mes tyre dhe SHBA-së, por vetëm si plotësim të përpjekjeve për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. /Insajderi.com