Bugajski: Bashkimi i “krahut të luftës” nuk mund ta ndalë Gjykatën Speciale

Bugajski: Bashkimi i “krahut të luftës” nuk mund ta ndalë Gjykatën Speciale

Janusz Bugajski, njohës i çështjeve politike në Ballkan, ka deklaruar se procesi i Gjykatës Speciale do të vazhdojë pa marrë parasysh përbërjen e qeverisë së re, duke hedhur poshtë spekulimet se bashkimi i “Krahut të luftës” në koalicion parazgjedhor do të jetë pengesë për këtë Gjykatë.

Megjithatë, ai ka shtuar se, edhe pse procesi do të zgjatet, ai duhet të fokusohet dhe të sigurojë prova të besueshme për krimet e luftës individuale dhe të mos kërkojë të diskreditojë vetë UÇK-në apo luftën e armatosur të Kosovës për çlirimin kombëtar.

Më tutje në intervistën e Bugajskit dhënë Zërit, ka thënë se çdo pengesë në punën e Gjykatës Speciale apo ndonjë manipulimi i dëshmitarëve do të kishte një ndikim negativ jo vetëm në qeveri, por edhe në përparimin e Kosovës drejt njohjes ndërkombëtare dhe integrimit institucional ndërkombëtar.

Duke folur rreth zgjedhjeve të 11 qershorit, Bugajksi ka thënë se zgjedhjet janë zakonisht zgjidhjet më racionale kur ka bllokadë politike dhe kur qeveria është nën nivelet e saj të performancës.

Megjithatë, ka shtuar se Kosova mund të përballet me një skenar më pak pozitiv nëse qeveria dështon që t’i përmbushë premtimet e saj.

Krejt në fund, Bugajski ka folur edhe për mundësinë e ndikimit rus në zgjedhjet e 11 qershorit. Sipas tij, secila parti në Kosovë duhet t’i kontrollojë në mënyrë të përpiktë aktivistët e saj dhe mediet për të pastruar veten nga paratë ruse që janë investuar në çfarëdo rasti për profit politik dhe strategjik.