Buja nxjerr detaje tjera për largim nga PDK-ja

Buja nxjerr detaje tjera për largim nga PDK-ja

Ish-anëtari i Kryesisë së PDK-së, Shukri Buja, i cili sot ka kaluar zyrtarisht në partinë Nisma për Kosovën, ka rrëfyer në detaje disa arsye pse u largua nga partia të cilës i shërbeu për shumë vjet.

Ai ka folur edhe për mundësinë që të kandidohet për kryetar Lipjani nga Nisma.

“Jo, unë nuk kam hyrë me synimin për t’u kandiduar për Lipjan. Mendoj se nuk do të kandidohem për Lipjan, sepse kam koncepte tjera. Kam hyrë në Nismë për të kontribuar për Nismën dhe për kandidatët që i ka Nisma, ta ndihmojë në konsolidimin e programit, zgjedhjet, rritjen. Jam me politika afatgjata në Nismë”, ka thënë Buja për Gazetën Insajderi.

Edhe nëse Nisma do ta propozojë atë, Buja thotë se nuk e ka ndërmend të kandidohet. Madje thotë se nuk synon asnjë pozitë edhe nëse e formon PAN-i Qeverinë.

“Nuk do të jem kandidat në garë për komunë, por as nuk do të jem pjesë e emërimeve kur të bëhet qeveria. Nuk kam hyrë me konceptin që të jem politikan i momentit në Nismë”, ka shtuar Buja.

Buja ka thënë se nuk u largua nga PDK-ja për inate, por për mungesë hapësire për të vepruar.

“Nuk jam politikan i inateve, as i hakmarrjes, por jam politikan që ndërton politikë të konkurrencës dhe kundërshtimeve politike, por jo e armiqësive”, ka thënë Buja.

“Asnjëherë nuk kam dhënë vija të kuqe me asnjë subjekt politik, sepse nuk i shoh ato si armike”, është shprehur ai.

Nismën Buja e sheh si parti simpatike që është në rritje e sipër.

“Kam hyrë në Nismë, sepse është në subjekt simpatik, në rritje e sipër, dhe mendoj se kam hapësirë të mjaftueshme për ta treguar vetveten për ta dhënë kontributin në programin social-demokrat shumë perëndimor që e ka Nisma”, ka thënë tutje ai për Insajderin.

Ai ka folur edhe për vendimin unanim të kryesisë së PDK-së dega në Lipjan, duke thënë se është bërë pa dëshirën e tij. Megjithatë, Buja thotë t’ia ketë bërë të qartë PDK-së se, edhe nëse ai e pranon kandidimin për kryetar, nominimi i tij të bëhet me kohë dhe jo në çastet e fundit.

“Qysh në marsin e këtij viti kam qenë kundërshtar i kandidimit tim për kryetar komune në Lipjan. Kryesia e PDK-së dega në Lipjan kishte marrë vendim unanim jashtë qëndrimit tim. Unë po ashtu kam thënë se, në qoftë se e pranoj kandidimin, atëherë kjo të bëhet me kohë dhe jo në momentet e fundit, sepse i humbi zgjedhjet, dhe nuk dua të kyçem në humbje të zgjedhjeve”, ka thënë Buja.

Vlerësimi i tij është se gjendja në PDK ka ndryshuar sidomos pas humbjes në zgjedhjet parlamentare.

Në një letër të që Shukri Buja ia ka drejtuar kreut të PDK-së, Kadri Veseli, ka përmendur shqetësimet e tij për humbjen e zgjedhjeve parlamentare.

Ai kishte thënë se ndër arsyet e humbjes ishte koalicioni i PDK-së me AAK-në dhe nominimi i Ramush Haradinajt për kryeministër.

Por, i pyetur nëse ardhja e Kadri Veselit në krye të PDK-së ka shkaktuar rënien e kësaj partie, Buja nuk ka dashur të flasë, duke thënë se kjo është çështje e PDK-së.

“Nuk dëshiroj të merrem me PDK-në, sepse kjo është çështje e tyre. Normalisht ajo duhet ta analizojë këtë, por nuk e ka bërë këtë”, ka thënë Buja për Gazetën Insajderi.