Bullgaria nuk jep sinjal pozitiv për t’i hapur rrugën Maqedonisë së Veriut drejt BE-së

Bullgaria nuk jep sinjal pozitiv për t’i hapur rrugën Maqedonisë së Veriut drejt BE-së

Një ditë para takimit të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian, Bullgaria nuk jep sinjal pozitiv për t’i hapur rrugën Maqedonisë së Veriut drejt BE-së.

Megjithatë nga partia e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaevit, thonë se ende kanë shpresë për epilog pozitiv.

“Republika e Maqedonisë së Veriut bëri gjithçka që duhej lidhur me integrimin në BE. Ajo që është e rëndësishme është mbështetja ndërkombëtare që këto ditë e marrim nga e gjithë Evropa. Unë shpresoj në përfundim pozitiv, por mbetet nesër më 22 qershor ta dëgjojmë vendimin përfundimtar”, deklaroi Kostadin Kostadinov zyrtarë i lartë i partisë maqedonase  në pushtet  LSDM.

Sipas partisë opozitare VMRO-DPMNE-së pala bullgare nuk do të lëshojë pe dhe vazhdojnë të akuzojnë kryeministrin Zoran Zaev për tradhti të mundshme ndaj gjuhës dhe identitetit maqedonas.

“Nga Bullgaria tashmë porositën se nuk do të ketë fillim të negociatave, nuk do të ketë seancë ndërqeveritare, andaj bie në ujë ajo gënjeshtër se Maqedonia ka marrë datë, se Maqedonia bën hap drejt integrimeve”, pohoi Naum Stoillkovski nga partia maqedonase në opozitë  VMRO-DPMNE.

Për shkak të vetos bullgare ndaj Maqedoninë e Veriut, nesër mund të pësojë edhe Shqipëria. Këtë e bën të ditur ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigji Soreca, i cili për EuroNews Albania deklaroi se vendet anëtare të BE-së kanë për qëllim që këto dy vende ti çojnë përpara bashkërisht dhe gjasat për ti ndarë janë të vogla. Ai ka shtuar se për here të parë për Shqipërinë të gjitha vendet e BE-së mbështesin hapjen e negociatave me Shqipërinë por gjasat për ndarjen e saj nga Maqedonia e Veriut janë shumë të vogla./Insajderi.com