Kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka prezantuar punën e tij për 100 ditë, duke thënë se prioriteti më i madh i tij ishte shëndetësia të cilën thotë se e ka gjetur në gjendje të rëndë, transmeton Insajderi.
Në një konferencë për media, Bulliqi tha se puna më e mirë që kanë bërë deri më tani është zgjerimi i hapësirës së qendrës anti-COVID.
“Me të marrë detyrën kemi filluar të krijojmë rend dhe rregull në këtë institucion shumë të rëndësishëm për qytetarët tanë e që nuk ka qenë në gjendje të mirë. Puna e parë që kemi bërë ka qenë zgjerimi i hapësirës së qendrës anti-COVID, të cilën e kemi gjetur me 4 shtretër dhe ne e kemi bërë zgjerimin e hapësirës dhe shtimin e shtretërve”, ka thënë ai.
Bulliqi në këtë konferencë shtoi se i kanë aktivizuar të gjitha aparaturat shëndetësore të cilat i kanë gjetur nëpër depo.
“Kemi pas një aparaturë e cila ka vlerë qindra mijëra euro dhe e cila fatkeqësisht ka qëndruar për dy vite e më tepër në dogana këtu, prej këtu nja 3 km, 2 vite e më tepër ka qëndruar në dogana dhe askush nuk ka shkuar të interesohet me e tërheq, t’ia rregullojë dokumentacionin, për me tërheq atë aparaturë. Dhe para pak ditësh kemi arritur që atë aparaturë ta tërheqim nga dogana dhe tash ajo aparaturë është në shërbim të qytetarëve tanë dhe është sjellë në QKMF. Kjo është një papërgjegjësi totale e atyre të cilët e kanë udhëheq deri dje këto resor, që është një prej resorëve shumë të ndjeshëm”, ka deklaruar i pari i Podujevës. /Insajderi.com