Kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, është deklaruar rreth incidentit me një qytetar para rreth katër muajvë në Qendrën Klinike të Mjekësisë Familjare në Podujevë, njofton Insajderi.
Ai ka kërkuar falje publike për atë se çfarë ka ndodhur atë ditë, derisa mohoi se ka sulmuar qytetarin në fjalë, duke thënë se ishte vetëm një përplasje verbale.
“Aty për aty ka ndodhur një keqkuptim, nuk ka pasë as grushtim as nuk ka pasë ndonjë shtyrje përveç një momenti kur është kërku me u kriju distanca, nuk ka pasë asnjë kontakt. Më vjen keq që ka ndodhë diçka e tillë, ka pasë një duel verbal që nuk është dashur me ndodhë”, ka thënë Bulliqi në ‘Pressing’ të T7.
Tutje ai tha se ajo që shihet në pamjet e publikuara nuk është e gjitha cfarë kishte ndodhur atje, pasi sipas tij situata ishte ndryshe dhe se pamjet janë prerë.
“Situata është më gjerësisht se që shihet në incizim, mediat e kanë pre, por nuk ka pasë ndonjë qëllim për të krijuar ndonjë incident, gjanat ndodhin, më vjen keq që ka ndodhë”, tha ai. /Insajderi.com