Bulliqi: Nga java tjetër fillon vaksinimi masiv në Podujevë

Bulliqi: Nga java tjetër fillon vaksinimi masiv në Podujevë

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka njoftuar se pas sigurimit të dozave të reja të vaksinave për imunizimin ndaj Coronavirusit, nga java e tjetër do fillojë vaksinimi i qytetarëve të kësaj komune, shkruan Insajderi.

Ai në Facebook ka thënë se përgatitjet janë bërë në sallën sportive të Shkollës Fillore të Mesme dhe të Ultë  “Xheladin Rekaliu”.

 “Ne pamë nga afër përgatitjet që janë bërë në sallën sportive të ShFMU “Xheladin Rekaliu” dhe nga aty pashë që është gjithçka gati për të filluar me vaksinim masiv të qytetarëve”, ka shkruar Bulliqi.

Ai më tej ka treguar se në këtë qendër të vaksinimit do të ketë katër ekipe me dy ndërrime, gjithsej tetë ekipe. Një ekip mesatarisht pritet të vaksinojë rreth 80 qytetarë.

Sipas tij, brenda ditës pritet të vaksinohen rreth 700 qytetarë./Insajderi.com