Bulliqi: Thaçi e Mustafa kishin tendencë që procesi i demarkimit me Malin e Zi të përfundonte shpejt

Bulliqi: Thaçi e Mustafa kishin tendencë që procesi i demarkimit me Malin e Zi të përfundonte shpejt

Shpejtim Bulliqi deputet i Lëvizjes Vetëvendosje dhe ish-kryetar i Komisionit për demarkimin e kufirit me Malin e Zi ka thënë se demarkacioni i solli dëme të mëdha Kosovës, njofton Insajderi.

Këto komente ai i bëri në Interaktiv të KTV-së ku deklaroi “se ish-ministri i Punëve të Jashtme atëherë Hashim Thaçi dhe kryeministri, Isa Mustafa kishin tendencë që procesi të përfundonte sa më shpejt”.

Sipas tij, ato dëme janë të pariparueshme dhe tashmë po ju sjellin kokëçarje edhe qytetarëve.

Bulliqi ka thënë se ditëve të fundit njerëzit janë larguar me dhunë nga pjesa ku i është dhënë Malit të Zi, nën pretekstin se ajo pjesë nuk është më e Kosovës.

Ai tutje ka shtuar se ka pasur marrëveshje mes dy presidentëve për formimin e një trupi punues që do ta shënonte vijën kufitare në terren.

“Pjesa dërrmuese e atyre staneve dhe kullosave që i kanë përdorur qytetarët i kanë paguar taksat në komunën e Pejës. Ende ai kufi nuk është zyrtar pavarësisht faktit që është ratifikuar në të dy kuvendet. Ai kufi përfundon kur shënohet ajo vijë kufitare në terren. Nuk ka asnjë arsye që pala malazeze t’iu shkaktojë probleme qytetarëve në atë pjesë”, ka thënë ai.

Bulliqi ka thënë se Mali Zi asnjëherë nuk ka pasur pretendime territoriale ndaj Kosovës, duke shtuar se marrëveshja e presidenteve është që të shikohen sektori në drejtim të Çakorrit dhe atij të Zhlepit, për të cilat sipas tij, pretendohet se ka pasur lëshime.

Sipas tij, marrëveshja thotë se ato gabime në këto dy sektorë duhet të korrigjohen.

“Ka mundësi që këto gjëra të korrigjohen. Ky proces është përcjellë me neglizhencë dhe papërgjegjësi, por ndoshta edhe me tendencë që ky proces sa më shpejt të përmbyllet, duke filluar nga presidenti i vendit Hashim Thaçi, ish-kryeministri Isa Mustafa dhe njerëzit e tjerë të involvuar”, ka thënë ai.

Sipas tij, kjo është papërgjegjësi e madhe e një numri të caktuar të politikanëve që i kanë bërë dëm procesit./Insajderi.com