Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë ditës së sotme e ka e ka shkarkuar Murat Mehën dhe Komisionin Shtetëror për Demarkacion. Haradinaj ka propozuar Shpejtim Bulliqin që të jetë në krye të Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi.
Bulliqi ka bërë të ditur se e ka pranuar pozitën e dhënë nga shefi i Qeverisë.
“Ne faktikisht kemi punuar një kohë të gjatë rreth kësaj problematike. Sigurisht që angazhimi dhe puna jonë ka qenë në të mirë të vendit dhe me qëllim për ta ruajtur territorin e shtetit. Andaj çdo kërkesë shtetërore në drejtim të këtij ekipi, sigurisht që do të jem i gatshëm që t’i marr obligimet”, ka thënë Bulliqi për Express.
Bulliqi ka thënë se ka synim që t’i mënjanojë gabimet e bëra nga komisioni paraprak, i formuar nga shteti për demarkacionin me Malin e Zi.
“Ne jemi në fazën e konsultave dhe do të shikojmë. Përveç fakteve askush nga krerët e shtetit nuk do të mundë ta ndryshoj situatën. Interesi i jonë është që ti mënjanojmë gabimet dhe lëshimet që janë bërë”, ka deklaruar tutje ish-deputeti i LDK-së. /Insajderi.com