Bunjaki kërkon durim ndaj përfaqësueses së Kosovës

Bunjaki kërkon durim ndaj përfaqësueses së Kosovës

Trajneri i Kosovës, Albert Bunjaki, ka dalë ditën e sotme në konferencën për shtyp para ndeshjes së nesërme ndaj Turqisë.

Ai ka kërkuar durim për rezultatet pasi ekipi i tij është në një grup shumë të fortë dhe për më tepër ka luajtur 3 ndeshje jashtë.

“Jemi në një grup shumë të fortë, i kemi pasur tri ndeshje jashtë Kosovës. Gjendja e ekipit është e mirë. Bernard Berisha ka pasur pak temperaturë dhe si rrjedhojë sot do të pushojë në stërvitje. Kemi edhe disa futbollistë që do të na bashkohen. Atdhe Nuhiu mbetet në planet tona dhe të tjerë”, ka thënë Bunjaki.

Bunjaki është shprehur optimist për të ardhmen e skuadrës, derisa ka kërkuar durim për rezultatet e përfaqësueses së Kosovës.

“Kemi një përfaqësuese të re me moshë mesatare 22-23 vjeçe, që kemi filluar të garojmë vetëm që dy muaj, kurse e kemi një grup me rivalë shumë të fortë, prandaj duhet të kemi durim dhe do të vijnë. Kisha dashur që të kualifikohemi në Botëror, por e kam thënë edhe më herët se kualifikimi në Evropian është objektiv më real”, ka thënë Bunjaki.

Ndërkohë kapiteni i Kosovës, portieri Samir Ujkani, ka vlerësuar forcën e ekipit turk duke thënë: “Turqia është njëra ndër ekipet më të forta në grup. Ajo e dëshiron shumë fitoren sepse ka edhe krizë te rezultateve, por ne duhet të kemi kujdes dhe ta zhvillojmë lojën tonë.” /Insajderi.com